Mediu në Sofrën Dibrane

15/03/2013 00:00

Kreu i republikanëve, Fatmir Mediu përshëndeti Sofrën Dibrane, eventiment ky artistik dhe kulturor i organizuar nga komuniteti dibran në kryeqytet.

Kryerepublikani përgëzoi organizimin e këtij evenimenti, që kapërcen ndasitë politike.

“Ky është shembulli që duhet të ndjekë dhe japë edhe politika, e cila duhet të përçojë mesazhe bashkimi dhe komunikimi për të ecur përpara, për t’i mundësuar vendit zhvillimin dhe shqiptarëve prosperitetin”, tha Mediu.

Kreu i republikanëve e vlerësoi zonën e Dibrës, si një zone me tradita dhe që ka nxjerrë figura të shquara patriotike.

Pak ditë më parë, Mediu, aleat historik i Partisë Demokratike, u shpreh se në zgjedhjet e 23 qershorit, partitë e qendrës së djathtë duhet të hyjnë me një formulë të re koalicioni parazgjedhor.

“Unë mendoj se duhet të jetë një koalicion, që t’u japë shanse dhe mundësi subjekteve politike dhe individëve që garojnë, dhe jo të jetë një koalicion thjesht i rreshtuar në krah të PD-së, ku kostot i kanë subjektet politike dhe përfitimet i merr vetëm PD”, tha Mediu.

Kryetari i PR e bëri këtë llogari duke iu referuar rezultatit të zgjedhjeve të vitit 2009, kur për shkak të sistemit zgjedhor nuk i siguroi republikanëve përfaqësim të drejtë proporcional mes peshës elektorale dhe vendeve në Parlament.

Zoti Mediu nuk preferoi të jepte një formulë konkrete, përderisa tryeza e aleatëve të koalicionit qeverisës ende nuk është mbledhur zyrtarisht.

Por, ai la të kuptohej se një zgjidhje e drejtë do të ishte përfshirja në listat e Partisë Demokratike e kandidatëve të partive aleate, për të motivuar më shumë elektoratin e tyre.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA