KESH hap portat, përmbytet Shkodra

14/03/2013 00:00

Reshjet masive në ditët e fundit kanë rritur fort prurjet në kaskadën e
Drinit duke e detyruar Korporatën Elektroenergjetike të nisë shkarkimet e
ujit.

Përmes një njoftimi zyrtar KESH njoftoi se niveli i ujit në liqenin e Fierzës ka arritur kuotën 287.2 metra, rreth 9 metra poshtë kuotës maksimale. Sipas KESH aktualisht prurjet në këtë basen janë në nivelin 1000 metër kub në sekondë. Në HEC-in e Komanit niveli i ujit është rreth 175 metra ndërsa prurjet, prurjet 1160 metër kub në sekondë.

KESH thotë se për të menaxhuar sa më mirë këtë situatë, në zbatim të rregullores se miratuar nga sekretariati teknik për shkarkimin e plotave ka nisur shkarkimin në HEC Koman dhe HEC Vau i Dejës.

Sipas KESH në Hidrocentralin e Komani-t po punohet me kapacitet maksimal dhe shkarkimet janë 600 metër kub në sekondë nga portat dhe 670 metër kub për sekondë nga turbinat. KESH bën të ditur se me kapacitet maksimal po punohet edhe në Hidrocentralin e Vau i Dejës. Në këtë HEC shkarkimet janë respektivisht 600 metër kub për sekondë nga portat dhe 520 metër kub nga turbinat.

Përmirësimi i situatës hidroenergjetike është një lajm i mirë për ekonominë kombëtare pas dy vitesh krize të egër thatësire, e cila e zhyti sistemin energjetik të vendit në një zinxhir borxhesh dhe në prag kolpasi, që kulmoi me largiumin e CEZ.

Shkodër, nisin përmbytjet

Hapja e portave të shkarkimit në hidrocentralin e Vaut të Dejës, në Shkoder, ka sjellë edhe përmbytjet e para.

Me qindra hektare toke bujqësore janë vënë nën ujë, ndërsa të rrezikuara janë shumë banesa në zonat e ulta. Hapja e portave të Fierzes dhe rreshjet kanë rritur ndjeshëm nivelin e ujit të hidrocentralit të Vaut të Dejës në basenin e tij të madh.

Shkarkimet nga ky hidrocentral janë në 1 120 metër kub ujë në sekondë, nepermjet turbinave dhe portave te ulta të sigurisë.

Ky është tuneli i hapur sot nga ku shkarkohet 600 metër kub ujë në sekondë.

Kjo sasi uji ka rritur ndjeshëm nivelin e lumenjeve Buna dhe Drin, zyrtarisht thuhet se shkarkimet jane të kontrolluara dhe lumenjtë ndodhen në shtretrit e tyre. Zonat me të prekura jane fushat e Dajçit, Trushit, Velipojes, Bushatit dhe Gurit të Zi.

Shkodër, uji prek qytetin

Në orët e mbrëmjes situata u përkeqësua jo vetëm në rrethinat e Shkodrës, por uji shtriu pushtetin e tij edhe në lagjet e qytetit. Kështu në lagjen Baçallëk uji kapi nivelin 50 centimetër duke përmbytur dhjetra banesa dhe dyqane në katet e para.

Ndërkohë, shkarkimet vazhdojnë dhe orët në vazhdim pritet të jenë akoma më dramatike. Evakuimet e para kanë nisur nga zonat e prekura së pari, ndërsa Oboti është izoluar tërësisht duke rikthyer mes banorëve frikën e madhe të përmbytjeve të 2010-ës.

Probleme ka edhe në rrugën Lezhë-Shkodër. Mjetet e vogla ndalohen të qarkullojnë në këtë aks për shkak të ujit që ka zaptuar rrugën.

Reshjet e shiut kanë shkaktuar probleme edhe në kryeqytet. Në Kamëz ka patur përmbytje pranë Institutit, ku uji ka dalë nga shtrati i lumit, probleme ka patur edhe në Bathore ndërsa në Yrshek rënia e një shtylle të tensionit të lartë si pasojë e motit të keq rrezikon jetën e banorëve.

Vjosa në pikën kritike

Lumi Vjosë kërcenon jugun e Shqipërisë. Shtimi i prurjeve për shkak të reshjeve të shumta ka dhënë alarmin për daljen nga shtrati.

Prefekti i Fierit mblodhi Shtabin e Emergjencave dhe kërkoi evakuimin e banorëve në 3 fshatra. Rreth orës 17:00 Bordi i Kullimit dha alarmin për vërshimin me shpejtësi të lumit Vjosa, pasi niveli kishte arritur 40 cm larg pikës kritike.

Shtabi i Emergjencave në një mbledhje urgjente dha udhëzimet për masat që duhet të merren nga drejtuesit vendorë në komunat Levan, Frakull dhe Cakran të cilat rrezikohen gjithmonë nga përmbytjet.

Deri në 19:00 ujërat e Vjosës u rritën me 20 cm dhe nëse kjo rritje dyfishohet të tjerë fshatra, Cerven, Pishporo dhe Kashisht rrezikojnë seriozisht përmbytjen nga uji.

Prefekti së bashku me Shtabin e Emergjencës inspektuan prurjet e lumit Vjosa të Ura e Mifolit, ku janë përcaktuar edhe shkallët e rritjes së nivelit të ujit.Policia e Fierit ka vënë në funksion shërbime të përforcuara dhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë, për t’u ndodhur pranë banorëve në rast nevoje.

Përmbytja e fundit nga lumi Vjosë, ndodhi në vitin 2010, ku u përmbyten dhjetra banesa dhe qindra hektarë tokë bujqësore.
 

Top Channel