Dheu bllokon aksin Këlcyrë-Përmet

14/03/2013 08:30

Një rrëshqitje dheu e ndodhur gjatë orëve të natës ka shkaktuar bllokimin e qarkullimit në aksin rrugor që lidh Këlcyrën me Përmetin.

Sipas informacioneve të autoriteteve lokale, bllokimi ka ndodhur në vendin e quajtur Kuqar, ku për momentin kalimi është i pamundur.

Autoritetet bëjnë me dije se dy fadroma po punojnë për hapjen e aksit që të çon në pikën doganore të Tre Urave.

Shkak për këtë rrëshqitje jo të vogël janë bërë reshjet e shiut që kanë përfshirë vendin, të cilat në disa zona kanë qenë me intensitet të madh.

Në fund të muajit të kaluar një rrëshqitje dheu u verifikua në fshatin Ngraçie, në Mallakastër.

Autoritetet lokale njoftuan se nga masivi i dheut ishin përfshirë të paktën 12 banesa, gjashtë prej të cilave ishin bërë të pabanueshme.

Autoritetet bënë me dije se nga rrëshqitja e dheut nuk pati persona të lënduar, ndërsa banorët që iu dëmtuan shtëpitë u strehuan gjetkë.

Edhe në këtë rast rrëshqitja e dheut erdhi si pasojë e reshjeve të shumta, që kanë shkaktuar probleme në zona të ndryshme të vendit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA