Ndërsa Milani përjetoi një prej mbrëmjeve më të hidhura të historisë së tij, atë të humbjes 4-0 në “Camp Nou”, një Milan tjetër ishte veçanërisht i kënaqur në tribunën VIP të stadiumit të Barcelonës.
Ishte pikërisht Shakira dhe djali i saj 1-muajsh, me emrin Milan, ata që shijuan këtë mbrëmje të veçantë, për Gerard Pique dhe të gjithë katalanasit e tjerë.
Siç i kishte hije, i mituri u paraqit në stadium i veshur me fanelën e Barcelonës, me mbiemrin e tij dhe të babait qendërmbrojtës mbi shpinë.
Një emër i pazakontë në Spanjë, megjithatë, ai i Milanit nuk lidhet me ndonjë pasion të fshehtë të Pique me skuadrën e madhe milaneze.
Siç ka shpjeguar më parë çifti, ata zgjodhën për djalin e tyre të parë një emër që në latinisht do të thotë kurajoz dhe në sllavisht i ndershëm.
Ndërkohë, në një postim në “Twitter”, Shakira komentoi veshjen e të birit si katalanas: “Ashtu si babai, edhe Milan u bë me Barcelonën që në lindje”.
Top Channel