“Revolucioni” i “Pop-Channel”

11/03/2013 18:00

Ndoshta shumëkush nuk e ka kuptuar në fillim, por është e pamundur të mos qeshësh me “Pop Channel”.

Programi me karakter ironik, prej dy sezonesh shoqëron mbrëmjet e së shtunës në atë që realizuesit e quajnë televizioni rival, “Top Channel”.

Lënda e parë merret nga realiteti i hidhur shqiptar, ku njerëzit, politika apo edhe vetë media janë në një gjendje që duhen zgjuar nga gjumi.

Autori i emisionit, Sokol Shameti, thotë se “Pop Channel” nuk i drejtohet një publiku dembel siç bën televizioni në përgjithësi.

“Duke qenë se ekzistojnë shumë programe që nuk e vënë në diskutim që publiku përpara do ta pranojë gjithçka ashtu siç i serviret, ne menduam që të bëjmë të kundërtën, për ta dekurajuar që në fillim atë shikues që pret një servirje të tillë dhe ta largojmë me qëllim. Nuk është ky një emision që i shërben rolit të televizionit në përgjithësi si zbavitës. Nuk është ky një emision që thotë më shiko, kënaqu, kjo është diçka krejt tjetër. Ky është një emision që kërkon impenjim, i bën thirrje trurit dhe prandaj gjuha e përdorur është shumë e shpejtë”, shpjegoi z. Shameti.

Formati i “Pop Channel” është i pari program i këtij lloji në mediat shqiptare. Shameti thotë se prej kohësh e kishte menduar të sillte para publiku një emision, i cili ta bëjë njeriun të mendojë.

“Duke qenë se pata fatin që të jem për një vit studime pasuniversitare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku ky lloj zhanri i të bërit satirë dhe informacion është shumë i përhapur, unë rashë atje në kontakt me një prodhim të atjeshëm të pavarur, i cili transmetohej kryesisht në ueb”.

Gjithçka rreth emisionit nis me një mbledhje të redaksisë ku herë pas here bëhen edhe skema futbolli.

Por, kjo vetëm në kohën e lirë sepse në pjesën tjetër të ditës janë telefonatat me personazhet apo xhirimet në terren që marrin shumë angazhim. E gjithë kjo punë për të realizuar atë që autorët e quajnë anti-televizion.

“Në “Pop Channel” nuk do të ndiqet kurrë ajo që ndiqet në televizion. Pra do të jetë gjithmonë një realitet i dytë, paralel, ku ato që janë ngjarje të realitetit, për ne janë absurde dhe nuk duhen ndjekur. Ne kemi një realitet tjetër, i cili për realitetin normal të televizionit quhet absurd, ndërsa për ne është ky realiteti dhe këtë do të ndiqni gjithmonë”, shtoi Shameti.

I organizuar në formën e një edicioni informativ, ndryshe nga tradicionalët “Pop Channel” bën një paralajmërim në hyrje të tij, “atë që në këtë edicion nuk do të ndiqni”.

Më shumë se sa informacione që nuk gjenden në këto lajme, mesazhi që duan të përcjellin autorët është se këto lloj informacionesh nuk ia vlejnë të ndiqen.

““Pop-Channel”, në këndvështrimin tim është anti-televizion, një kritikë mbi mënyrën se si bëhet televizioni, në debatin e madh prej disa dekadash që kemi tashmë, mbi rolin e një televizioni. Roli zbavitës dhe njëkohësisht roli edukues i televizionit. “Pop-Channel” në mënyrë modeste synon që të jetë një provokues publik i këtij lloj debati”, përfundoi drejtori i këtij programi, Sokol Shameti.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA