Krijuesi i Harlem Shake: Këngë idiote!

11/03/2013 10:45

Baauer është një DJ 23-vjeçar i cili është bërë i famshëm falë ‘Harlem Shake’, këngës që përdoret si sfond për videot amatoriale që kanë pushtuar internetin në kohët e fundit.

Baauer ka prodhuar hitin, por të famshëm e kanë bërë njerëzit e thjeshtë duke postuar videot e tyre me këtë kolonë zanore në Youtube. Pas këtij fenomeni nuk ka një strategji marketingu. Ndryshe nga Psy me Gangnam Style, Baauer as nuk ka xhiruar një videoklip.

Gjithçka lindi rastësisht. Më 30 janar është postuar videoja e parë Harlem Shake nga një përdorues interneti dhe tani gjenden mijëra video që kanë dy të përbashkëta përveç këngës: zgjasin 30 sekonda dhe janë të ndara në dy pjesë. Në pjesën e parë një person kërcen me një maskë në një kohë që të tjerët e injorojnë tërësisht, ndërsa në pjesën e dytë edhe të tjerët nisin të realizojnë koreografi të çmendura, secili sipas qejfit të vet.

Baauer ka këtë mendim për këngën që ka krijuar: “Kam përzier disa këngë house me hip-hop. Më pas u përpoqa të tërheq vëmendjen me tinguj të çuditshëm. Atë që bërtet “con los terroristas” e kam marrë diku në internet. Është pa kuptim dhe mendoj se ka sukses sepse është një këngë idiote, por zbavitëse.”

Sipas të dhënave në Youtube, më 1 mars ka pasur më shumë se 250 mijë video Harlem Shake në internet, që janë ngarkuar nga 100 vende të ndryshme dhe që janë parë plot 700 milionë herë të marra së bashku.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA