Republika e Turqisë ka kërkuar nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë që librave shkollor të historisë t’u bëhet një rishikim i kujdesshëm dhe që në pjesë të caktuara të tyre edhe të bëhen korigjimet.

Megjithatë, pavarësisht kërkesës për rishikim, zyrtarë të MASHT-it, thanë për portalin “Telegrafi” se kërkesat e Turqisë lidhen me “përmirësime” dhe jo “ndryshime” të historisë.

Për këtë qëllim, Ministria e Arsimit e Kosovës ka formuar një komision të përbërë nga ekspertë të historisë, gjeografisë dhe albanologjisë të cilët kanë përgatitur një raport se çfarë do të mund të korrigjohet në tekstet shkollore.

Mirëpo, njëri nga bashkautorët e disa librave të historisë, Frashër Demaj ka thënë se autorët e teksteve tashmë janë dakorduar që të mos pranojnë asnjë ndryshim të teksteve pa marrë miratimin e tyre dhe se ata me asnjë çmim nuk do të pranojnë ndryshime që do të dëmtonin të vërtetën historike.

Zëvendësministri i Arsimit, Nehat Mustafa ka thënë se ekspertët që do të vijnë nga Turqia nuk do të kenë ndikim në ndryshimet e teksteve, por, sipas tij, me ta vetëm do të diskutohet dhe debatohet për kërkesën e tyre.

“Nuk ka qëllim ardhja e tyre që ata të ndikojnë drejtpërdrejtë në ndryshimet eventuale, por thjesht do të jetë një vizitë ku ata së bashku me ekspertët tanë do të shkëmbejnë përvojat e tyre që i kanë në këtë fushë, në mënyrë që dilemat eventuale në mes të popujve të ndryshëm të tejkalohen me një gjuhë sa më të përzgjedhur, po që nuk nënkupton ndryshimin e historisë”, deklaroi Mustafa.

Top Channel