Në pamje të parë duket peisazh i mrekullueshëm natyror. Kjo sipërfaqe numëron 12 liqene natyrale të rrethuar me qindra hektarë pyje, të cilat i japin zonës një sistem unik ekologjik shumë të pasur me botë bimore dhe shtazore.

Bëhet fjalë për malin e quajtur Gospoja, në afërsi të Komunës së Fushë Kosovës, të cilin kompania Bechtel Enka e ka shenjuar për të ndërtuar gurore për nxjerrjen e zhavorrit, me qëllim të kryerjes së punimeve në rrugën e kombit.

Ky veprim ka hasur në kundërshtimin e fortë të banorëve të tri fshatrave përreth, të cilët konsiderojnë se në këtë mënyrë po degradohet natyra. Ata, prej disa ditësh, nuk po lejojnë makineritë e kompanisë të futen në pyll. Ndërsa për ta bërë reagimin në mënyrë institucionale ka filluar edhe nënshkrimi i një peticioni.

Por, pavarësisht kundërshtimit të banorëve, punëtorët e Bechtel Enka-s kanë dalë në terren, këtu në malin e Gospojës për të bërë matjet…

Në emër të hulumtimit të terrenit, kompania deri më tani ka prerë një sipërfaqe të gjerë pyjore. Kundër gurores në këtë zonë kanë dalë shoqata të ambientalistëve dhe lëvizja Vetëvendosje. Kjo e fundit bën të ditur se në këtë rast Bechtel Enka nuk ka leje mjedisore nga Ministria e Ambientit.

Kjo çështje është ngritur edhe në komisionin parlamentar për mjedisin. Ministria e Ambientit ka lënë të hapur mundësinë, që t’ia japë lejen dhe pëlqimin mjedisor kompanisë Bechtel Enka për hapjen e gurores. Kjo, me arsyetimin se, nëse nuk do t’i lejohet shfrytëzimi i zhavorrit në këtë vend, do të rritet kostoja e autostradës, për shkak se kompania detyrohet të nxjerrë zhavorr diku tjetër dhe pagesat për këtë duhet t’i bëjë qeveria e Kosovës.

Top Channel