Pezull përgatitja e misionit të ODIHR-it

09/03/2013 00:00

Qeveria shqiptare ende nuk ka dërguar ftesën formale për të bërë të
mundur aktivizimin e misionit vëzhgues të OSBE-ODIHR-it, në zgjedhjet e
23 qershorit.

Këtë e ka bërë të ditur për “Shqip”, zëdhënësi i ODIHR-it, Thomas Rymer. Duke folur nëpërmjet telefonit nga Varshava, zoti Rymer theksoi se procedurat e planifikimit të punës për misionin vëzhgues të OSBE-ODIHR-it në Tiranë do të duhet të nisin sapo të vijë rekomandimi prej zyrës qendrore të Zyrës së OSBE-së për Institucione Demokratike dhe të Drejta të Njeriut, si dhe ftesa zyrtare nga qeveria shqiptare.

Zëdhënësi i ODIHR-it nuk ka bërë koment në lidhje me atë që është vonë për të nisur tashmë procedurat e punës, por fakti është se në të gjitha zgjedhjet e mëparshme, kjo organizatë i ka kryer të gjitha përgatitjet që katër muaj para zgjedhjeve. Ndërkohë që na ndajnë edhe 3 muaj nga zgjedhjet e 23 qershorit, ODIHR ende nuk ka nisur rekrutimin për kreun dhe drejtuesit e misionit afatgjatë të kësaj organizate në zgjedhjet e 23 qershorit.

Rekrutimi i krerëve të këtij misioni është një procedurë më vete, por që të ndodhë shpallja e kërkesës, do të duhet që qeveria shqiptare të bëjë ftesën zyrtare te zyra e ODIHR-it në Varshavë, si organizata më e specializuar në botë për vëzhgimin e zgjedhjeve. ODIHR nuk shkon asnjëherë në një vend kur nuk kërkohet.

Ka ndodhur në zgjedhjet vendore të 28 shtatorit 1996 kur Berisha, atëherë President nuk e ftoi ODIHR-in duke kërkuar që vëzhgimi të bëhet nga anëtarët e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës që janë politikanë. Kështu pra, që të vihet në lëvizje struktura e Zyrës për Institucione të Lira dhe të Drejta të Njeriut(ODIHR) do të duhet që të bëhet ftesa zyrtare nga Ministria e Jashtme e Shqipërisë, e cila ende nuk e ka bërë.

Ky akt zyrtar është i rëndësishëm, pasi në muajin e ardhshëm do të duhet të instalohet përfundimisht në Tiranë misioni afatgjatë i vëzhguesve të ODIHR-it, i cili pritet të përbëhet të paktën nga 60 vetë, të cilët do të shpërndahen në të 12 qarqet e vendit. Në zgjedhjet e kaluara, katër muaj para zgjedhjeve, ODIHR në faqen zyrtare jo vetëm kishte shpallur procedurat për emërimin e kreut të ODIHR-it, por madje kishte bërë të ditur datën e instalimit në Tiranë të misionit afatgjatë.

Vetë zëdhënësi i ODIHR-it theksoi dje për “Shqip” nga Varshava se për instalimin e misionit afatgjatë dhe rekrutimit të vëzhguesve afatshkurtër, por edhe përcaktimin e numrit dhe planifikimit të aspekteve logjistike nevojitet koha e duhur. Ministria e Jashtme, e pyetur nga “Shqip” theksoi se “çdo gjë do të bëhet në kohën e duhur dhe sipas procedurës së posaçme”. Pra edhe pse theksohet indirekt që do të bëhet ftesa nuk bëhet e ditur koha dhe a do të kërkohet ODIHR si bërthama kryesore e misionit vëzhgues afatgjatë dhe afatshkurtër. Ndërkaq, edhe çështja e kreut të misionit të ODIHR-it është një kapitull më vete. Pasi Tirana zyrtare, pra qeveria duhet të japë pëlqimin paraprak për kandidaturat që do të drejtojnë misionin vëzhgues. Në vitin 2009, Berisha ka kundërshtuar kandidaturën e ambasadorit Dan Everts si kryetar i misionit të ODIHR-it, i propozuar nga prezenca e OSBE-së në Tiranë. Ndërkaq, Këshilli i Përhershëm i OSBE-së emëroi diplomaten britanike, ambasadoren, Audrey Glover, e cila kishte qenë kreu i misionit të zgjedhjet e kontestuara të vitit 1996. Edhe këtë emër Berisha e kundërshtoi, por nuk mund ta rrëzonte, pasi e kishte bërë njëherë me Everts dhe nuk mund të dilte kundër Londrës zyrtare. Por gjatë punës së misionit të ODIHR-it, Berisha bëri gati letrat për ta shpallur person “non grata”, siç e theksoi edhe dy ditë më parë në një konferencë shtypi, çka krijoi një situatë turbullire, që me lobimin e mikut të mazhorancës nga Austria, u arrit që ëolgang Grosruck të drejtonte misionin e vëzhguesve afatshkurtër, që amortizoi ambasadoren Glover.

Skenari i PD

Siç e ka bërë të ditur Mesila Doda, gjatë një mbledhjeje të Asamblesë Parlamentare të OSBE-së në Vjenë, po kërkohet se rolin kryesor ta kryejë jo ODIHR në vëzhgim, por Asambleja Parlamentare e OSBE-së, e cila drejtohet nga deputeti i partisë së Silvio Berluscon-it, Ricardo Migliori.

Doda theksoi se “Zgjedhjet parlamentare në Shqipëri përbëjnë edhe një mundësi për bashkëpunimin e ngushtë ndërmjet delegacioneve të Asamblesë Parlamentare të OSBE-së dhe të ODIHR-it”. Pritet që qeveria të bëjë një ftesë hibride për OSBE-në pa specifikuar ODIHR-in që do të ngjallte konfuzion. Por Bashkimi Europian dhe SHBA kanë bërë të ditur se do të kryejnë një vëzhgim paralel që do të shpërndahen në të gjitha strukturat e votimit dhe të numërimit të votave në vend.

Gazeta “Shqip”

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA