Mustafaj: Ambasada në SHBA, strategjike

08/03/2013 19:40

Ish-ministri i Punëve të Jashtme, Besnik Mustafaj, në një intervistë për Top-Channel, analizon situatën ku ndodhen shërbimet diplomatike shqiptare dhe buxhetet herë herë të vogla për të përmbushur misionin e tyre.

“Buxheti i një ambasade ndërtohet në një mënyrë shumë të thjeshtë, po të kemi parasysh që ka pak zëra. Që do të thotë, janë sigurisht qeratë, janë pagat e punonjësve diplomatikë, sigurimet e tyre shëndetësore, është një zë i domosdoshëm që u siguron mobilitetin. Pra, benzina për ambasadorin, jo për të tjerët dhe një zë më vete që duhet të jetë me doemos me cilësinë e përfaqësimit dhe që është një fond i veçantë që ka ambasadori që e përdor për pritje e përcjellje. Në këtë kuptim, hartimi i një buxheti të ambasadës bëhet duke mbajtur parasysh nevojat që ka ambasada. Para një jave isha në Vienë në Forumin e 5-të global për Aleancën e Qytetërimeve dhe ambasadori ynë në Vienë mu ankua jashtëzakonisht shumë për mungesa deri bazike në buxhetin”, deklaron Mustafaj.

Zoti Mustafaj mendon se kompanitë lobuese “Patton Bogs” dhe “Podesta” të kontraktuara nga qeveria me një kosto prej 1.5 milionë USD, nuk mund ta zëvëndësojnë rolin e ambasadës së Shqipërisë në Uashington.

“Nëse unë do të isha në drejtim, ose do të dëgjohej zëri im, në asnjë rrethanë nuk do t’i jepja prioritet një agjencie lobimi ndaj ambasadës, e cila ka një mandat. Dhe këtu hyn cilësia e diplomatëve që dërgon në Uashington dhe jo fakti që punën e ambasadës mund ta bëjë agjencia e lobimit. Ajo nuk e bën dot punën e ambasadës. Ndërsa ambasada mund ta bëjë në një masë shumë të madhe. Pra, një ambasdë, një trupë diplomatike dinamike tërheqëse në punën e saj dhe e motivuar mirë, mund ta bëjë në një masë shumë të madhe. Do të thosha 90% punën që bëjnë agjencitë e lobimit”, thekson Mustafaj.

Besnik Musfaj shpjegon përse ambasada jonë në Uashington merr një rëndësi të veçantë. “Në programin qeveritar të vitit 2005, ku unë kam hartuar politikën e jashtme, përcaktohen marrëdhëniet me SHBA si strategjike. Pra, në momentin që janë strategjike, ambasada është e kategorisë së parë dhe e një rëndësie jo të zakontë. Në këtë kuptim edhe marrëdhëniet strategjike me një aleat, me një partner si SHBA nuk mund të ndërtohen vetëm përmes ambasadës amerikane në Tiranë. Do të ndërtohen edhe mes ambasadës shqiptare në Uashington”, shton Mustafaj.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA