Koretë, Veriu i jep fund “paqes” me Jugun

08/03/2013 03:20

Korea e Veriut ka bërë të ditur se i jep fund pakteve kundër agresionit me Korenë e Jugut, duke mbyllur linjën telefonike me Seulin dhe të gjitha pikëkalimet mes dy shteteve.

Lajmërimi vjen pas raundit të fundit të vendosjes së sanksioneve nga OKB kundër Penianit, në lidhje me programin e tyre të debatueshëm bërthamor.

Rezoluta e OKB ishte në përgjigje të testit bërthamor të Koresë së Veriut muajin e kaluar. Më herët, Peniani u zotua të përdorë të drejtën e saj për lëshimin me qëllim parandalues bërthamor ndaj “agresorëve” të tij.

Njoftimi i fundit, i dhënë nga agjencia e lajmeve shtetërore e Koresë së Veriut, bënte të ditur se Veriu i jepte fund pakteve kundër agresionit me Jugun, duke mbyllur gjithashtu pikën kryesore kufitare në Panmunjom, brenda zonës së demilitarizuar.

Aty njoftohej për Jugun, gjithashtu, se po ndërpritej në mënyrë “të menjëhershme” linja telefonike Veri-Jug.

Lideri koreano-verior, Kim Jong-un, raportohet të ketë vizituar njësitë ushtarake të vijës së parë, të cilat u përfshinë në bombardimet e 2010-s, në një ishull koreano-jugor.

Thuhet se ai i ka urdhëruar ushtarët të qëndrojnë në gadishmëri për “të asgjësuar armikun” në çdo moment, duke rikonfirmuar më tej të ashtuquajturat “objektiva armiqësore”, në 5 ishuj të Detit Perëndimor.

Më herët, Këshilli i Sigurisë së OKB-së, miratoi unanimisht rezolutën 2094, e cila impononte paketën e katërt të sanksioneve kundër Veriut. Rezoluta kishte për objektiv diplomatët koreano-veriorë, transfertat e parave dhe aksesin ndaj të mirave të luksit.

Duke folur pas votimit, ambasadorja amerikane në OKB, Susan Rice, tha se dokumenti “dënon rëndë” veprimet e Penianit. Ajo shtoi se sanksionet do të “shtrëngojnë më tej” aftësinë e Koresë së Veriut për të zhvilluar programin e saj bërthamor. Rice paralajmëroi se OKB mund “të marrë të tjera veprime të rëndësishme”, nëse Peniani do të mbante të tjera teste bërthamore.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA