Për të, ky është 7 marsi i fundit. Mësuese Nexhi, apo “nëna Nexhi”, siç e quajnë nxënësit e Qazim Turdiut, sot i thotë lamtumirë mësuesisë, një rrugë që e nisi në vitin 1977, atëherë kur ishte një vajzë e re e sapodalë nga bankat e Insitutit te Lartë të Pedagogjisë në Shkodër.

Në korridoret e kësaj shkolle ajo do mbahet mend si mësuesja që s’ulej kurrë në karrige. Madje dhe orët e pushimit mësuese Nexhi i kalonte në këmbë pranë nxënësve apo klasës kujdestare për t’u kujdesur që cdo gjë të shkojë në rregull.

Aq sa me humor, kolegët e thërrisnin “shefe rajoni”. Asgjë s’mund t’i shpëtonte mësuese Nexhit. Ajo dinte çdo shqetësim të nxënësve apo mësuesve dhe pikën më të fortë të saj kishte ëmbëlsinë dhe taktin.

Largimi në këtë ditë feste bëhet akoma më emocionues, jo vetëm për nxënësit por edhe për koleget: “Mësuese Nexhi do na mungojë shumë të gjithëve. Unë i uroj një jetë të gjatë dhe pastë gjithmonë gëzime. Ajo nuk ka neglizhuar në punë asnjë ditë. Ka qenë model për të gjithë ne.”

Disa ditë më parë kolegët i kanë organizuar dhe një festë të veçantë, një ditë po me emocione të furishme si sot.

Ndarjet s’janë të lehta asnjëherë, por kjo ditë feste e bën të paktën një kujtim më të hareshëm.

Një ditë mësimi me fëmijët e ngujuar

Nuk ka rëndësi nëse është dimër apo verë, ditë pune apo ditë pushimi, nëse ka makina, apo i duhet të ecë në këmbë, nëse është e lodhur apo e sëmurë…

Liljana Luani është mësuesja me origjinë nga Dukagjini, por që jeton në të ashtuquajturin kryeqytet i veriut, në Shkodër.

Nuk lodhet kurrë, por dëshira dhe pasioni i madh i mësimdhënies prej 45 vitesh e shtyn që të mos dorëzohet para asgjëje. Dhembshuria e mësueses-nënë nuk e ka lënë të qetë, përkundrazi ajo lufton me gjithçka mundet për t’i mësuar fëmijëve në gjak, të paktën abc-në e gjuhës mëmë, gjuhës shqipe.

Në një fshat në periferi të Shkodrës kalon ditët një familje që jeton nën të njejtën çati me lopën e ku skamja ka arritur deri në ekstrem. E megjithatë, fëmijët e ngujuar disa herë në javë marrin mësime nga mësuese Liljana. Izolimi brenda mureve të ftohta e plot lagështi të shtëpisë së tyre nuk ka arritur dot të shuajë ëndrrat e tyre.

E duan dhe e adhurojnë mësuesen e tyre. Tek ajo shohin një rreze dritë e duke mos pasur asgjë tjetër për t’i dhuruar në 7 Mars përveç mirënjohjes së tyre, kanë një vjershë për t’i thënë.

Ka një pikësynim dhe është e vendosur ta çojë deri në fund. Ajo nuk do të mbyllë sytë para realitetit të hidhur që kushton jetë njerëzish. Me sytë e përlotur e herë herë duke u ndjerë e pafuqishme, sapo mbaron me këtë familje, niset drejt një tjetre.

Atje e presin fëmijë më të rritur. I ka ndjekur hap pas hapi që në vogëli. Herë-herë edhe ka rrezikuar duke i marrë në besë e duke i shoqëruar për në shkollë. Por tashmë ata nuk mund ta kalojnë më pragun, ata kanë frikë nga gjaksi. Me këmbëngulje kërkojnë të arsimohen e mos t’i dorëzohen hallit që i ka zënë derën. Megjithatë, në kalvarin e mundimeve e të dëshirave për një të ardhme më të mirë, kanë ngritur kult në mendjen e tyre për mësuesen.

“Jam munduar të mësoj, por është shumë e vështirë sepse nuk mund t’i bësh në shtëpi të gjitha lëndët. Në shkollë nuk shkoj dot sepse kam frikë se më vrasin pas shpine.”

Për Liljanën, çdo ditë është 7 Mars sepse në çdo ditë ajo merr mirënjohjen e atyre fëmijëve, për të cilët pakkush kujtohet. Ajo ka vendosur të bashkëjetojë me dhimbjen e tyre e ta çojë misionin e saj deri në fund.

Të jesh mësuese e nxënësve me aftësi të kufizuara

Këtyre nxënësve u duhen katër vjet shkollë për të mësuar se si të prezantohen, të numërojnë deri në dhjetë apo të thonë fjalë elementare si mirëmëngjes apo mirëmbrëma.

Dhe për të arritur deri këtu, duhet shumë energji, punë dhe përkushtim nga mësuesit e shkollës speciale “Luigj Gurakuqi”.

Mësuese Liria, është njëra prej këtyre mësueseve që i duhet të jetë në mëngjes plot me energji për të arritur të komunikojë me këta fëmijë me aftësi të kufizuar, të cilët pikën më të dobët kanë pikërisht komunikimin.

3 prej nxënësve në klasën e saj kanë çrregullime të autizmit, 3 të tjerë kanë prapambetje mendore të rëndë, 2 kanë sindromën daun dhe 3 të tjerë me prapambetje të lehtë.

Të 11 nxënësit kanë programe krejtësisht të veçanta edukimi sipas specifikave të kufizimit që kanë.

Janë pesë orë mësimi ku mësuese Liria mund të përballet me shumë situata të ndryshme, të cilat as mund t’i imagjinonte se ekzistonin kur ishte mësuese në shkollën publike.

Por prej 8 vitesh, ajo ka mësuar tu përshtatet këtyre fëmijëve që më shumë se të gjithë kanë nevojë për tu integruar.

Ajo tashmë di si të reagojë edhe nëse nxënësit e saj paraqësin çrregullime në sjellje dhe t’i mësojë ata si t’i kontrollojnë ato.

Mund të ndodhë që nxënësit për shkak të kufizimeve apo problemeve që mbartin nga familjet apo ngacmimeve të jashtme, të tregojnë agresivitet, por tashmë ajo i njeh dhe di si t’i menaxhojë.

Përveç agresivitetit apo pjesës së mësimdhënies ku çdo fjalë duhet ilustruar vizualisht, mësueses i duhet të jetë shumë vigjilente dhe për gjendjen shëndetësore.

Më mirë se të gjithë, familjarët e dinë se çfarë do të thotë të punosh me një fëmijë me aftësi të veçanta.

“Këto mësuese janë të forta që arrijnë të bëjnë këtë punë. Një kemi në shtëpi e s’ia dalim dot”, shprehet një nga familjarët.

Mësues Qerimi, burri që jep mësim në fillore

Ky është 7 Marsi i 37 për mësues Qerimin, një ndër të paktët mësues filloreje në kryeqytet. Ai jep mësim në klasën e tretë në shkollën “Vasil Shanto”.

Nëse të gjithë nxënësit rendin me buqeta drejt krahëve të ngrohta të zyshave, nxënësit e mësues Qerimit sigurisht përqafohen nga krahë më të mëdhenj. Dhe për këta fëmijë ai jua merr që çke me të zyshave femra.

“Mësuesin s’do e ndërronim me asgjë tjetër sepse e duam shumë”, thonë nxënësit.

Dhe në fakt mirë bëjnë, sepse mësuesit meshkuj për klasat fillore janë shumë të rrallë, gati specie në zhdukje. Por pavarësisht nga gjinia, mësimi zhvillohet njësoj. Ashtu si dhe marrëdhënia e dashurisë dhe kujdesit.

Për këta fëmijë, mësues Qerimi është mësuesi i klasës së parë, mësuesi më i pazëvendësueshëm në kohë pavarësisht kalimit të viteve. Edhe pse është mashkull kjo s’e bën domosdo më të ashpër edhe pse ndonjëherë mund të ndodhë ndonjë tërheqje veshi.

Nxënës që qeshin dhe që janë të gëzuar të cilët do tu drejtohen rrugëve të së ardhmes pa harruar atë që u mësoi se si të mbanin stilolapsin apo të uleshin në bankë.

Top Channel