Makina del nga rruga, rëndë shoferi

07/03/2013 00:00

Një aksident rrugor është regjistruar mëngjesin e së enjtes në Qafë
Krrabë, në Elbasan, ku si pasojë ka mbetur i plagosur drejtuesi i një
automjeti.

Lajmin e bëjnë të ditur burime policore, sipas të cilave automjeti ku po udhëtonte shtetasi Spiro Goleci ka dalë nga rruga dhe është përplasur.

Për pasojë, nënvizojnë burimet, drejtuesi i automjetit ka mbetur i plagosur rëndë dhe është dërguar në spital nga forcat e policisë në vendin e ngjarjes.

Sipas burimeve, shkak i aksidentit të automjetit, tip “Benz” me targë “El 1859 B”, mendohet të jetë bërë shpejtësia dhe lagështira në rrugë për shkak të shiut.

Ndër aksidentet rrugore të ndodhura së fundmi në vend, ka qenë ai i fundmuajit të kaluar, ku nga përplasja e dy automjeteve gjeti vdekjen një personi.

Ngjarja ndodhi në aksin Lezhë-Milot-Fushë-Krujë, në të njëjtin vend ku pak ditë më parë në një aksident kishte humbur jetën edhe një 27-vjeçar.

Në aksident u përfshi një mjet kamion me targë të Fierit, me drejtues shtetasin Shaban Veizi dhe një mjet me targa të Mirditës me drejtues shtetasin Albert Gjeta, 32 vjeç.

Për pasojë u përfshi nga flakët mjeti tip “Benz”. U desh ndërhyrja e zjarrfikësve, ndërsa drejtuesi i mjetit pësoi plagë shumë të rënda e më pas ndërroi jetë në Spitalin Ushtarak.

Ndërsa një ditë para kësaj ngjarjeje, një person humbi jetën dhe dy të tjerë u plagosën, si pasojë e një aksidenti të rëndë të ndodhur në orët e vona të 26 shkurtit në Tiranë.

Aksidenti u shënua tek ura pranë Drejtorisë së Policisë, ku një automjet tip “Wolksvagen Golf 5” përplasi një taksi tip “Benz” me targa “TR 3372 M” dhe më pas përfundoi në lumin Lanë.

Si rrjedhojë humbi jetën drejtuesi i “Benzit”, shtetasi Preng Mirashi dhe u plagosën dy pasagjerët e mjetit tip “Golf” të cilët u transportuan menjëherë në Spitalin Ushtarak.

Shkak i aksidentit të rëndë ishte shpejtësia e madhe me të cilën udhëtonin mjetet dhe mosrespektimi i rregullave të qarkullimit rrugor.

Top Channel