Kryetari i FRD-së, Bamir Topi është takuar pasditen e së mërkurës me simpatizantët e qytetit të Elbasanit, ku ka prezantuar programin elektoral të partisë së tij.
Në fjalimin e mbajtur, Topi ka shprehur bindjen e tij për fitoren e FRD-së në zgjedhjet e 23 qershorit dhe për daljen në opozitë të mazhorancës aktuale.
“23 qershori do të jetë fundi i kryeministrit. Pas 23 qershorit askush nuk do të mund t’i shpëtojë drejtësisë. FRD shkon e sigurt në fitoren e zgjedhjeve të 23 qershorit”, ka deklaruar Topi.
Duke prezantuar programin e partisë së tij, zoti Topi ka vënë në dukje se ai ndryshon nga programet e partive të tjera, pasi trajton seriozisht problematikën e qytetarëve.
Në këtë drejtim, ish-kreu i shtetit është fokusuar tek problemet e shumta që sipas tij ka sot Elbasani, duke e vënë theksin tek papunësia, arsimi dhe mjedisi.
“Programi i FRD ka në themel qytetarin dhe punësimin e mijëra personave. Gjithashtu, vëmendje të veçantë FRD do t’i kushtojë edhe zhvillimit të bujqësisë”, ka thënë Topi.
Ditën e hënë Fryma e Re Demokratike prezantoi për herë të parë programin e saj qeverisës, duke u shprehur e hapur për çdo reflektim dhe sugjerim nga grupet e interesit dhe qyetarët.
Duke vlerësuar se qeverisja e mazhorancës aktuale nën drejtimin e Sali Berishës ka zhgënjyer dhe ka militantizuar çdo aspekt të jetës shoqërore, kryetari Topi premtoi se FRD ka një program ambicioz, që zgjidh disa nga çështjet që politika i ka mbajtur peng gjatë 22 viteve.
“Brenda mandatit të parë FRD do të zgjidhë përfundimisht çështjen e njohjes, kthimit dhe kompensimit të pronës. Premtojmë shlyerjen e dëmshpërblimit financiar për të burgosurit dhe të përndjekurit politikëbrenda 3 viteve. Pjesë e angazhimit politik është nisma ligjore për hapjen e dosjeve të kohës së diktaturës dhe për reformimin organik e funksional të institucioneve aktuale shtetërore, që trajtojnë problematikën e ish të përndjekurve politikë”, tha Topi.
Top Channel