Mbi 80 familjarë jetojnë në errësirë e lagështirë

04/03/2013 00:00

Ish-godina studentore nr. 1 tek Universiteti Bujqësor në zonën e
Institutit në Tiranë, prej 15 vjetësh është pushtuar nga të pastrehët.
Ajo është populluar nga familje, të cilat kanë migruar nga vendet e
thella veriore, për të gjetur një jetë më të mirë në kryeqytet.

“Toka e premtuar”, Tirana, nuk u ka sjellë asnjë ndryshim, nga jeta në fshat. Jetojnë në një godinë që është në kushte skandaloze. Prej 15 vjetësh, rrjeti i ujësjellësit nuk funksionon. Për të përmbushur nevojat që kanë, janë të detyruar të rrugëtojnë afro 1 km larg. Një banor në Kodër-Kamzë, i mëshiron. Lejon që ata të mbushin ujë, pavarësisht kostove financiare. Nuk janë të paktë hallexhinjtë. Godina ka mbledhur rreth saj 80 familje dhe që të gjithë zbarkojnë në banesën e tij. Për të mos e mërzitur, ndonjëherë paguajnë lekë në dorë. Por të pakta janë këto raste. Nga ana tjetër, ajri është shumë i rëndë. Është e pamundur që të qëndrosh me shumë se dy minuta në dhomat, ku qëndrojnë familjet, por halli i bën që ata të rrinë, të hanë e të flenë aty.

Lagështia në mure ka formuar figura të ndryshme, me ngjyrë jeshile dhe të verdhë. Teksa i shohin, fëmijët mundojnë që me mendjen e tyre të gjejnë ndonjë formë të veçantë, si për shembull, një zog, trup njeriu, lule e të tjera, që janë krijuar prej lagështirës, e cila nuk u shqitet as në muajt e verës. Ata nuk e dinë se sa e rrezikshme, është ajo. Nuk e dinë se mjekimet që marrin për mushkëritë, janë për shkak të figurave të “bukura” në mur, të cilat janë krijuar prej vitesh nga reshjet e shiut. Kanë ftohtë, shumë ftohtë. Nuk kanë as energji që të ngrohen. CEZ-Shpërndarja ua ka prerë energjinë prej një muaji. Prindërit nuk kanë pasur mundësi financiare që të paguajnë fatura. E dinë që punëtorët e CEZ-it nuk do të kthehen që t’ua rilidhin energjinë. E kanë pranuar idenë e të jetuarit në errësirë, me qiri sepse asnjëherë nuk kanë për të paguar debinë që kanë ndaj kompanisë elektro-energjetike. Për t’u ngrohur, veshin shumë rroba, të cilat janë të lagështa. I ftohti u ka hyrë në palcë të vegjëlve. E vetmja shpresë për t’u ngrohur janë rrezet e diellit. Sapo zgjohen në mëngjes, nxjerrin kokën në dritare për të parë nëse dita është e bukur apo ka vranësira. “Të lutem mos e nxirr shtëpinë time në gazetë, sepse do më tallin shokët te shkolla”, ankohet një i mitur, teksa mban një kothere bukë në dorë. Nuk pranon kurrsesi që të fotografohet.

Ndërsa Xhane Dusha jeton në godinë prej 20 vjetësh. Ka ardhur nga fshatrat e Tropojës. Kur flet është mjaft e nxituar. Kërkon që brenda një minute, t’i thotë të gjitha problemet e jetës së saj. E shikon median si një rreze shprese për hallet e saj. Është e lumtur që dikush po shqetësohet për hallet e saj. Në mendje ka krijuar idenë se gazetarët do të jenë personat që do t’i japin punë, para dhe bukë. “Kam ardhur nga një zonë e thellë e Tropojës. Atje jeta ishte shumë e vështirë. Erdha në Tiranë, për një më të mirë. Jam bërë pishman që kam ardhur këtu, por nuk kthehem më atje, sepse e kam shkrehur jetën në fshat. Braktisa edhe ato pak gjëra që kisha”, ankohet Dusha. Jeton në katin e katërt të godinës. Ka zaptuar dy dhoma, në të cilat jetojnë 12 persona. Askush nuk punon në familjen e saj. Djemtë nuk i gjejmë në “shtëpi”, sepse kishin dalë për të punuar si hamallë diku. “Shumicën e rasteve nuk arrijnë që të gjejnë punë. Ne duam që të hamë, por nuk kemi se çfarë. I shikon këta të vegjlit. Me dhemb shpirti kur i çoj në kopsht pa bukë. Të gjithë fëmijët e botës, kanë me vete gjëra të shumta. Nipërit e mi, nuk kanë mundësi që të blejnë, qoftë edhe një byrek. Rrinë e shohin të tjerët, kur hanë. Nuk kam se ku të përplasem. Sot shkova që të mbledh hithra. Ndoshta nuk i njihni. Janë ca bimë që të djegin duart dhe që mbijnë nëpër ferra. Unë shkova që t’i këpus, për t’ia bërë gjellë familjes sime. Është ushqimi i përditshëm i tyre. Mishi dhe frutat nuk mbahen mend se kur i kemi provuar. Ua kemi harruar shijen fare. Ka raste që hamë bimë edhe pa bukë. Nuk e di a më besoni. Shumë net qaj dhe këlthas me veten time. Nuk e mbaj mend, që kur kam punuar në jetën time, për të marrë një dorë lekë. Nuk e di nëse do të ketë ditë të bardha edhe për mua”, tregon Xhane Dusha.

Nusja e djalit të Xhanes, Alida Dusha thotë se nuk ka punuar kurrë. Ajo nuk e di kënaqësinë e të fituarit para. “Nuk e di se çfarë ndien një njeri, në momentin që merr para. Është një nga dëshirat e jetës sime, që zor se do të realizohet në kushte të tilla. Jetojmë në këtë godinë rreth 80 familje. Pjesa dërrmuese janë të papunë. Varfëria është një gjë normale këtu te ne. Ua dimë hallet shumë mirë njëri-tjetrit. Fëmijët na janë sëmurë prej lagështisë dhe ato pak para që mund të sjellin meshkujt e shtëpisë, do të shpenzohen për ilaçet e tyre. Është krim i madh, që ky fëmijë që kam unë në dorë të rritet në një shtëpi si kjo”, thotë Alida.

Në kushte të tilla jeton edhe Idjana Linatopi. E gjejmë jashtë godinës, duke u ngrohur në diell, së bashku me nusen e djalit. Kjo e fundit, në këmbë mban veshur një palë shapka të grisura dhe pa çorape. “Eh, moj bijë, jeta është luftë. Jetojmë si në Mesjetë. A sheh se si është godina. Nuk kemi asnjë kacidhe, që të paktën të mbrohemi nga lagështira. Nuk ka as siguri. Para disa ditësh një fëmijë i vogël ra nga kati i katërt poshtë. Është rëndë nga gjendja shëndetësore. Prindërit nuk kanë para që ta kurojnë. Kam ardhur nga Kolonja para 20 vjetësh. Që pas ardhjes së demokracisë nuk kam punuar qoftë edhe për një ditë të vetme. Tani e kam fjetur mendjen se nuk gjej punë, sepse jam e madhe në moshë. Nuk gjejnë dot të rinjtë, e jo më unë. E sheh këtë djalin e vogël që ka nusja në krahë. Është i sëmurë. Do ilaçe, por nuk kam lekë që t’ia blej. Jeta na është bërë një ferr i vërtetë. Drita jo, ujë jo, shtëpi jo. Jetojmë kot. Po ta shohësh frigoriferin tim, vetëm një bidon me ujë gjen dhe asgjë tjetër”, mbyll rrëfimin Linatopi.

Gazeta “Shqip”

Top Channel