Ministria e Bujqësisë hodhi poshtë mundësinë e tregtimit të medikamentit Boldemec, i cili është një hormon që stimulon rritjen e kafshëve për mish, duke thënë se artikulli që është importuar nga një kompani e licensuar nga vetë ministria në vitin 2007 ka skaduar që në vitin 2010.

Një ditë më parë, ne publikuam medikamentin e blerë në farmacitë bujqësore që tregonte afat skadence vitin 2013, ndërkohë që sot po publikojmë një tjetër etiketë, që tregon se afati i skadencës është në vitin 2015.

Sipas Ministrisë së Bujqësisë, importi dhe tregtimi i këtyre substancave ishte ndaluar që në vitin 2006, por në vitin 2007 është bërë licensimi i një kompanie ku në listën e artikujve që do të importoheshin ishte shënuar edhe Boldemec-u. Sipas vetë Ministrisë, kjo kompani kishte futur në Shqipëri 4 mijë flakone nga Peruja në shtator 2007, por që medikamenti ishte regjistruar si kimikat që luftonte parazitët tek kafshët.

Top Channel i bleu këto medikamente nëpër farmaci bujqësore në disa rrethe të vendit ku shiteshin në mënyrë legale edhe pse në njoftimin e saj Ministria e Bujqësisë pretendon se në qershor 2010 Boldemec ka skaduar dhe 3 mijë e 481 flakone kompania i ka pasur ato stok jashtë përdorimit dhe që me mirëkuptim të Ministrisë së Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit janë ruajtur në ambientet e saj.

Top Channel