Shpenzimet, asnjë marrëveshje në SHBA

01/03/2013 00:00

Ka përfunduar pa asnjë marrëveshje takimi mes presidentit Obama dhe udhëheqësve republikanë në Shtëpinë e Bardhë për shmangien e shkurtimeve drastike të shpenzimeve.

Në përfundim, presidenti Obama fajësoi republikanët se po refuzojnë rritjen e taksave dhe shfuqizimin e shkurtimeve prej 85 miliard dollarësh që do t’i shkaktojë Shteteve të Bashkuara, sic tha Obama, një tjetër plagë.

Në mungesë të një marrëveshje mes dy palëve, Kongresi pritet të miratojë në orët e fundit të ditës së premte shkurtimin e shpenzimeve publike me shumën e lartpërmendur. Fondi Monetar Ndërkombëtar ka paralajmëruar se hyrja në fuqi e një mase të tillë do të ngadalësojë rritjen ekonomike globale.

Specialistët thonë se nëse shkurtimet në fjalë nuk anulohen rritja ekonomike e Shteteve të Bashkuara për vitin 2013 do të jetë 1.4 përqind, ndërsa nëse anulohen kjo shifër mund të shkojë deri në 2.2 përqind, po aq sa ishte edhe rritja ekonomike e 2012-ës.

Obama tha se nëse Kongresi do të vepronte në mbështetje të politikave të propozuara prej tij, lajmet ekonomike për Shtetet e Bashkuara do të ishin disa herë më të mira.

Republikani John Boehner kundërshtoi propozimin e Obamas duke deklaruar se problemi real i vendit janë shpenzimet marramendëse.

“Të gjithë amerikanët e dinë se problemi i vërtetë i Uashingtonit janë shpenzimet. Sa për taksat, presidenti Obama e mori atë që kërkoi më 1 janar, ndërsa tani është koha të përballemi me shpenzimet”, tha Boehner pas daljes nga Shtëpia e Bardhë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA