SHBA, kritika Erdoganit

01/03/2013 00:00

Kryeministri turk, Rexhep Tajip Erdogan, është kritikuar ashpër nga Shtetet e Bashkuara, Izraeli dhe Kombet e Bashkuara, për etiketimin e zionizmit “një krim kundër njerëzimit”. Gjatë një forumi të OKB-së, këtë javë, ai tha:

“Ashtu siç ndodh me zionizmin, anti-semitizmin dhe fashizmin, është e pashmangshme që islamofobia të konsiderohet një krim kundër njerëzimit”, u shpreh Erdogan.

Kryeministri izraelit, Benjamin Netaniahu, reagoi ashpër ndaj komenteve të shefit të ekzekutivit turk, ndërsa shefi i ri i diplomacisë amerikane, John Kerry, i cilësoi “të dënueshme”.

“E ngrita këtë çështje me ministrin e Jashtëm dhe do ta diskutoj edhe me kryeministrin. Shtëpia e Bardhë e tha fjalën e saj në lidhje me këtë argument dhe shumë qartë madje. Ne nuk pajtohemi me të, përkundrazi e konsiderojmë të dënueshëm”, u shpreh John Kerry, Sekretar i Shtetit amerikan.

Por, si Turqia edhe Izraeli janë aleate të Shteteve të Bashkuara dhe Kerry u përpoq t’i përcillte të dyja palëve një mesazh pajtimi.

“Ne duam t’i shohim të bashkëpunojnë me njëri-tjetrin, në mënyrë që të arrijnë të shkojnë përtej retorikave, të nisin hapa konkretë për ndryshimin e kësaj marrëdhënieje. Besoj se një gjë e tillë është e mundur”, shtoi Kerry.

Ministri i Jashtëm turk, Ahmet Davutoglu, i mbrojti komentet e Erdoganit dhe kritikoi edhe një herë trupat izraelite për vrasjen e nëntë aktivistëve turq në 2010-tën.

Episodi i dhunës në flotiljen e ndihmave për Gazën vazhdon të mbetet çështje nevralgjike për Ankaranë. “Nëse disa vende veprojnë me agresivitet ndaj të drejtës së qytetarëve të tyre për të jetuar, epo na lejoni edhe neve të drejtën të lëshojmë një deklaratë”, tha me ironi kreu i diplomacisë turke.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA