Katër trafikantë droge u ekzekutuan njëkohësisht në Kinë ditën e premte, për shkak të krimeve të kryer kundër shtetasve kinezë në lumin Mekong, në Tajlandën Veriore.
Sipas akuzës, katër të dyshuarit hapën zjarr dhe vranë 13 marinarë kinezë, për të fituar kontrollin e mjetit të tyre lundrues, në të cilin u gjet sasia e jashtëzakonshme prej 1 milionë amfetaminash, një lloj droge sintetike e krijuar në kushte laboratorike.
Autoritetet kineze identifikuan të ekzekutuarit si një “bos droge” nga Mianmari, një tajlandez, një laosian dhe një tjetër pa shtetësi.
Të katërt personat, të shpallur fajtor në një gjyq që fitoi vëmendje të madhe kombëtare pas ekstradimit të tyre nga Tajlanda, u ekzekutuan gjatë paradites nëpërmjet injeksioneve vdekjeprurëse në një burg të krahinës së Junanit.
Përpara ekzekutimit, bosi i drogës deklaroi se ishte i penduar, por theksoi se “ka një Trekëndësh të së Keqes në Azinë Juglindore (Tajlandë, Malajzi, Indonezi), ku njerëzit e mirë bëhen kriminelë. Atje njerëzit shkojnë për të bërë biznes, por fitimet marramendëse që të ofron droga i bën të devijojnë dhe shumë të tjerë do të bëjnë si unë nëse nuk bëhet diçka për të zgjidhur realisht këtë situatë”.
Top Channel