Me pranga në duar, i shoqëruar nga dy oficerë të policisë greke, Arben Frroku u largua nga ndërtesa e gjykatës së Selanikut pasi iu dha vetëm masa e sigurisë me 40 ditë paraburgim nga prokurori, ndërsa u shpall i pafajshëm për akuzën e posedimit dhe përdorimit të lëndëve narkotike.

Frroku, si dhe i arrestuari i dytë i policisë greke, Jak Jaku, mbërritën në ndërtesën e gjykatës së qytetit rreth orës dhjetë e gjysmë të mëngjesit në makina të veçanta.

Në fillim ka qenë Frroku ai që dëgjoi në zyrën e prokurorit se ndaj tij ekziston një urdhër ndërkombëtar arresti, pasi organet shqiptare të drejtësisë e akuzojnë për implikim në vrasjen e shefit të komisariatit të policisë nr.6, Dritan Lamaj.

Avokati mbrojtjës i biznesmenit, Makis Kaftopoulos sqaroi se klienti i tij deri tani ka vetëm një akuzë, atë për posedimin e një sasie të vogël droge, 0.4 gramë kokainë.

TCH: Përse akuzohet Arben Frroku?

Avokati: “Klienti im deri tani ka një akuzë për posedim të një sasie të vogël droge, 0.4 gramë kokainë. Sot në mëngjes na u njoftua nga prokurori i Selanikut që ka ardhur nga Ministria e Rendit të Greqisë një urdhër nga Interpoli me anë të të cilit klienti im akuzohet për një vrasje që ka ndodhur në Tiranë javën që kaloi. Sipas ligjit që ekziston, brenda 40 ditësh duhet që drejtësia shqiptare të çojë tek drejtësisa greke të gjitha të dhënat dhe shkresat dëshmuese në mënyrë që të mbështesë me fakte dhe të vërtetojë që klienti im ka lidhje me këtë akt. Nëse brenda 40 ditësh nuk vijnë të gjitha këto dëshmi fajësie, atëherë klienti im do të mbetet i lirë”.

TCH: Pse erdhi në Greqi?

Avokati: “Klienti im erdhi në Greqi pasi unë për tre vjet e disa muaj kam marrë përsipër mbrojtjen e kushëririt të tij të parë, Sokol Frrokut, i cili është dënuar për posedim të lëndëve narkotike, të sasive të vogla të lëndëve narkotike. Të hënën kishim një takim të caktuar, në mënyrë që ta merrja në pyetje si dëshmitar në çështjen e kushëririt të tij”.

TCH: Komunikoi me ju?

Avokati: “Po, komunikoi me mua dhe me tha që po vij në Greqi të dielën në mbrëmje. Më tha, po vij në Greqi dhe nesër do të takohemi në zyrën tënde”.

TCH: Atëherë mësuat edhe për vrasjen?

Avokati: “Unë jo. E mësova ditën tjetër kur më tha se erdhën në hotelin ku po flinte me dy të tjerët, ku edhe e arrestoi policia e Selanikut për sasinë e vogël të kokainës, për sasinë prej 0.4 gramë. U mbajt që prej asaj dite deri më sot që ishte dhe dita e dëshmisë së tij. Nga sa mësuam do të ketë ndërmjetësuar një telefonatë nga Tirana në Athinë në Ministrinë e Rendit dhe kështu që u mbajt, se përndryshe do të ishte lënë i lirë që të hënën”.

TCH: Po përsa i përket akuzës së lëndës narkotike?

Avokati: “Kjo është një çështje që për drejtësinë greke nuk ka asnjë vlerë. Do të hyjmë në hetuesi për dhjetë minuta dhe më e mundshmja është që hetuesi do na lërë të lirë, sepse ky akt nuk është i dënueshëm. Domethënë posedimi i një sasie kaq të vogël nuk përbën kusht për paraburgim”.

TCH: Ai e mohon vrasjen në mënyrë kategorike?

Avokati: “Po. Kundërshton çfarëdolloj implikimi në vrasjen e oficerit të policisë shqiptare”.

TCH: Nëse del fajtor për lëndët narkotike?

Avokati: “Për këtë sasi nuk ekziston mundësi faji. Asnjë. Është brenda kontekstit të ligjit grek për drogën ku sasi të vogla që posedojnë përdoruesit nuk përbëjnë vepër penale”.

TCH: Kush është përdoruesi në këtë rast?

Avokati: “Përdoruesi është kushëriri i tij dhe personi tjetër që ishte me të. Por, edhe ai në disa raste ka qenë përdorues. Nuk është përdorues droge Arben Frroku. Në këtë rast personi tjetër ka pranuar që sasia e lëndëve narkotike ishte e tij dhe jo e Arben Frrokut. Dhe kishin marrë një sasi të vogël kokaine në darkë”.

Pas Frrokut është thirrur në zyrën e prokurorisë edhe i arrestuari i dytë, Jak Jaku, të cilit i është komunikuar i njëjti njoftim. Katër orë më pas, Froku dhe të gjithë të arrestuarit e tjerë janë çuar në zyrën e hetuesisë që ndodhet në të njëjtën ndërtesë dhe mnjehërë pas saj janë larguar pasi janë shpallur të pafajshëm për sa i përket sasisë prej 0.4 gramë kokainë që u gjet në dhomën e hotelit ku u arrestuan.

“Po mbahen në këto momente vetëm për shkak të urdhër-arrestit të Interpolit, Jo për lëndën narkotike”, deklaroi më tej avokati Kaftopoulos.

Pasi u larguan të arrestuarit, pala mbrojtëse përsëriti se nëse drejtësia shqiptare nuk dërgon dokumentacion të mjaftueshëm që fajëson Frrokun si të implikuar në vrasjen e zyrtarit të lartë të policisë, atëherë ai do të lihet i lirë pas 40 ditësh.

I pyetur nga Top Channel brenda ndërtesës së gjykatës, ku nuk lejohet përdorimi i kamerave, Arben Frroku deklaroi se është i pafajshëm dhe se ai është bërë pre e një loje politike. Ai mohoi zërat që nga Partia Socialiste, kryetari i saj apo dikush prej anëtarëve të kësaj partie, i është ofruar kërkesa për deputet. Sipas Frrokut, çdo gjë ka ndodhur pak ditë para se ai të shpallte kandidaturën për deputet me Partinë Kristian Demokrate në qytetin e Shkodrës, me kryetar zotin Dhimitër Muslia.

Ende nuk bëhet i ditur vendi ku Frroku do të mbahet për 40 ditë, por burime të pakonfirmuara thonë se ai mund të çohet në burgun e Kasandrës, në zonën e Halkidhikisë. 

Top Channel