Berlusconi kundër gjyqtarëve: Protesta më 23 mars

01/03/2013 00:00

Ish-kryeministri italian Silvio Berlusconi i është rikthyer deklaratave të tij kundër drejtësisë italiane. Këtë herë, kreu i koalicionit të qendrës së djathtë, e rënditur e dyta në zgjedhjet e 24-25 shkurtit, bëri thirrje për protesta në shesh kundër “padrejtësive të drejtësisë”.

Deklarata e tij u lëshua nga Milano pas seancës së radhës gjyqësore ku Berlusconi akuzohet për mashtrime fiskale lidhur em të drejtat televizive. Megjithatë, ajo që tërboi më shumë ish-kryeministrin italian nuk ishte procesi gjyqësor për të drejtat televizive në Milano, por një proces gjyqësor i nisur nga organet e drejtësisë në Napoli.

Këto të fundit kërkuan hetimin e ish-kryeministrit pas dëshmisë së ish-senatorit Sergio De Gregorio. Ky i fundit para hetuesve deklaroi se kishte marrë rryshfet 3 milion euro nga ana e Berlusconi-t për të rrëzuar qeverinë Prodi disa vite më parë.

“Këto akuza na detyrojnë të zbresim në shesh kundër aktivitetit të një pjese të drejtësisë që përdor sistemin për të luftuar dhe eleminuar kundërshtarët politikë që nuk mund t’i eleminojë nëpërmjet sistemit të vertetë demokratik dhe zgjedhjeve popullore. Kjo është një sëmundje e sistemit tonë të drejtësisë, një kancer i demokracisë sonë”, tha Berlusconi duke ftuar më pas “9 milion mbështetësit e tij” (numri i italianëve që e votuan në zgjedhjet e fundit) të dalin në shesh “në mbrojtje të demokracisë” më 23 mars.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA