Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të rrisin mbështetjen e tyre “logjistike” për kryengritësit, të cilët po luftojnë me ushtrinë e Bashar al-Assad në Siri.
Ky ishte përfundimi i një takimi të zhvilluar të enjten në Romë, midis Sekretarit Amerikan të Shtetit, John Kerry dhe përfaqësuesve të opozitës siriane.
Kerry pranoi për herë të parë përfshirjen direkte të Uashingtonit në konflikt, duke ofruar ushqime dhe mjekime për kryengritësit.
”SHBA kanë vendosur që të rrisin kontributin për kryengritësit, të cilët tashmë nuk përballen vetëm me raprezaljet dhe luftën e përgjakshme të nisur nga regjimi i al-Assad, por edhe me aleatët e tij iranianë dhe Hezbollahun. SHBA thekson edhe një herë më shumë se koha e Presidentit Assad ka mbaruar dhe se ai duhet të largohet nga pushteti sa më shpejt që të jetë e mundur”, theksoi Kerry.
Ndihma do të përfshijë edhe 60 milionë dollarë, të destinuar për të shkuar në organizimin e një administrate dhe force policore në zonat e kontrolluara nga kryengritësit.
Megjithatë, Uashingtoni nuk pranoi kërkesën thelbësore të kryengritësve, atë të furnizimit me armë në mënyrë direkte.
Sipas mediave ndërkombëtare, besohet se SHBA-të kanë luajtur gjithsesi një rol në armatosjen e kryengritësve, nëpërmjet përdorimit të ndikimit të tyre tek aktorë të dytë.
Deri më sot, SHBA ka kontribuar zyrtarisht me mbi 400 milionë ndihma për Sirinë, një vend ku sipas të dhënave të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, në dy vjet luftë civile, kanë gjetur vdekjen mbi 70 mijë qytetarë.
Top Channel