Një raport i Organizatës Botërore të Shëndetit vlerësoi se ndikimet e rrjedhjes bërthamore të impiantit të Fukushimës nuk do të jenë afatgjata dhe as vendimtare për shëndetin e të prekurve.
Studimi dy-vjeçar i OBSH-së u përqendrua në matjen e nivelit të rrezatimeve në një perimetër përreth Fukushimës dhe të problemeve shëndetësore që kishin shfaqur banorët e kësaj zone në veri të Tokios, gjatë kësaj kohe.
Centrali bërthamor i Fukushimës, në të cilin funksiononin gjashtë reaktorë, u godit nga një tërmet i magnitudës 9.0 sipas shkallës rihter dhe nga një tsunami që pasoi në mars 2011, duke vuajtur dëme të rënda.
Eventualisht, problemet në ftohjen e sistemit të bërthamës radioaktive brenda reaktorëve krijuan rrjedhje të uraniumit dhe panik në masë në ditët dhe javët pas krizës.
”Personat e ndodhur pranë Fukushimës janë prekur nga rrezatime të ulta dhe kanë një shans lehtësisht më të lartë gjatë jetës për t’u prekur nga kanceri, por niveli i atyre që do të sëmurën nuk do të ndryshojë shumë me mesataren kombëtare”, shkruhej në raportin e Organizatës Botërore të Shëndetësisë.
”Ndryshimi i vetëm i përket punonjësve të emergjencës, që rrezikojnë kancer të tiroides pasi përthithën avuj radioaktivë gjatë kohës së krizës, por duke qenë se tiroidja është veçanërisht rezistente ndaj prekjes nga tumori, shanset mbeten gjithsesi të ulta”, veçohej në raport.
”Fëmijët e ndodhur përreth zonës së prekur në mars 2011, kanë një shans lehtësisht më të lartë për t’u prekur nga sëmundjet tumorale gjatë jetës, por edhe për ta probabiliteti i shtuar është aq i ulët, sa vështirë se do të ketë ndonjë veçim të dukshëm nga statistikat kombëtare”.
Sipas vlerësimeve mbi shkallën e incidenteve bërthamore, Fukushima vlerësohet në nivelin më të lartë, menjëherë pas Çernobilit.
Megjithatë, ndryshe nga shpërthimi i ndodhur në vitin 1986 në centralin e Ukrainës Sovjetike, përgjegjës për mijëra jetë njerëzish të humbura direkt dhe indirekt, autoritetet japoneze patën kohë të mjaftueshme gjatë krizës për të evakuar zonat potencialisht të rrezikshme, ndërsa kriza, ndonëse tepër e rëndë, nuk doli asnjëherë nga kontrolli.
Top Channel