Presidenti i Italisë, Giorgio Napolitano, ka anuluar darkën me kandidatin e Partisë Social-Demokrate të kancelares gjermane, Peer Steinbruck, të programuar në Berlin.
Zëdhënësi i Steinbruck ka shpjeguar se anulimi ka ardhur pas komenteve të kandidatit gjerman mbi votimet në Itali, i cili kishte thënë se ndihej “i tronditur nga zgjedhja e dy kllounave”.
Kreu i shtetit italian, i cili ndodhet në një vizitë në Mynih, ka shtuar: “Respektojmë Gjermaninë, por kërkojmë gjithashtu respekt prej tyre”.
“Unë përfaqësoj bashkimin dhe dinjitetin kombëtar, – ka deklaruar më pas Napolitano. – Presidenti i Republikës merr nga Kushtetuta mandatin për të përfaqësuar bashkimin kombëtar, kështu që mendoj se nuk ka ndonjë ndryshim të madh nga përfaqësimi i dinjitetit kombëtar. Kam investuar shumë në këto dy mandate dhe në këto dy detyra”.
Konfirmimi i anulimit të takimit erdhi shumë shpejt nga zëdhënësi i politikanit gjerman, sipas të cilit gjithçka ka ndodhur me kërkesë të Italisë. Steinbruck, ish-ministër i Financave, i njohur për fjalimet e tij thumbuese, ishte shprehur “i tronditur për fitoren e dy palaçove të cirkut”, duke iu referuar komedianit Grillo dhe Berlusconi-t, teksa këtë të fundit e ka përshkruar më pas si “një klloun me tejkalim testosteronesh”.
“Mendoj se nuk ishin më kushtet e përshtatshme për një takim, duke parë deklaratat jashtë logjike dhe të pavenda”, kështu u shpreh Napolitano për gazetarët në Mynih, duke i justifikuar vendimin e tij.
Por, edhe vet Steinbruck ka deklaruar se “e kupton vendimin e Giorgio Napolitano”, megjithatë nuk ka bërë asnjë hap mbrapa: “Ajo që u tha, u tha”, duke përsëritur kështu mendimin e tij tejet të ashpër dhe ofensiv ndaj verdiktit të zgjedhjeve në Itali.
Ndërkohë, Merkel, si kryetare e qeverisë gjermane, ka bërë të ditur se do të bashkëpunojë me cilëndo qeveri italiane pas zgjedhjeve, të cilat ishin demokratike dhe që kanë sjellë një situatë aspak të lehtë, siç ka konfirmuar zëdhënësi i kancelares, Steffen Siebert në Berlin, duke përfunduar me: “Italia ka përgjegjësinë për të ndërtuar një qeveri të aftë për të reaguar. Presidenti i Republikës, Napolitano, ka një rol qendror në këtë fazë”.
Top Channel