Kerry, takim me opozitën siriane në Romë

28/02/2013 00:00

Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry po takohet me liderët e opozitës siriane në Romë, teksa Shtetet e Bashkuara përgatiten të rrisin mbështetjen për rebelët, me qëllim rrëzimin e presidentit Bashar al Assad.

Kerry po bisedon me përfaqësuesit e Miqve të Sirisë, grupi i vendeve që mbështesin opozitën siriane. Ai pritet të njoftojë rritjen e ndihmës paqësore të SHBA për rebelët, por jo atë ushtarake.

Zoti Kerry thotë se SHBA duan ta përshpejtojnë tranzicionin politik në Siri. Grupi kryesor i opozitës siriane, Koalicioni Kombëtar Sirian, kishte kërcënuar se do të bojkotonte takimin në Romë, në shenjë proteste ndaj “heshtjes së botës” kundrejt masakrave.

Por në fund grupimi ra dakord të ndiqte takimin, pasi Shtetet e Bashkuara dhe Mbretëria e Bashkuar u shprehën të gatshme për të ofruar ndihma specifike.

Rritja e mbështetjes pritet të konsistojë në furnizime ushqimore dhe mjekësore për zonat e kontrolluara nga rebelët. Në to përfshihet gjithashtu stërvitja, autoblinda dhe pajisje për vëzhgim gjatë natës, raporton “New York Times”, që citon burime zyrtare amerikane.

Administrata Obama deri tani e ka bërë të qartë se nuk do t’u japë armë rebelëve. Por armët janë ato që i duhen rebelëve sirianë, të cilët po irritohen gjithnjë e më shumë për nivelin e ulët të ndihmës që po marrin nga vendet e tjera të botës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA