
Lëvizja 5 Yjet e Beppe Grillos tronditi zgjedhjet e fundit në Itali dhe përvec përfaqësimit surprizë në Dhomën e Përfaqësuesve, mundi të sigurojë plot 54 vende edhe në Senat.
Në dhomën e lartë të parlamentit italian, janë 54 emra që edhe për vetë italianët janë të panjohur. Pas rezultatit të zgjedhjeve, mediat vendase rendën të gjejnë aty-këtu ndonjë senator, deputet apo përfaqësues të lëvizjes së komedianit, për t’i shkëputur ndonjë mendim mbi Italinë që ata konceptojnë.
Në mungesë të vetë Grillo-s, i cili refuzon mediat italiane, këto të fundit duhet të kënaqen me zërat dytësorë të lëvizjes së tij. Një ndër këta zëra është edhe senatorja e zgjedhur së fundmi nga radhët e kësaj lëvizje, Enza Blundo.
Blundo ishte e ftuar në një emision radiofonik të RAI-t. Ajo foli për programin e lëvizjes që përfaqëson, që nga rimëkëmbja e ekonomisë e deri tek shkurtimet drastike të fondeve për partitë dhe politikanët, por nuk diti t’i japë përgjigje pyetjes për numrin e senatorëve në parlament. “Rreth 300”, tha ajo.
Senati italian përbëhet nga 315 senatorë, prej të cilëve katër nuk zgjidhen pasi kanë titullin e përjetshëm. Në rezultatet e 24-25 shkurtit, 115 senatorë shkuan për të majtën, 99 për të djathtën, 54 për M5S, ndërsa pjesa tjetër u nda mes partive më të vogla, përfshirë këtu edhe koalicionin e qendrës të udhëhequr nga Mario Monti.
Top Channel