Berisha në Divjakë: Zhvillim i gjithanshëm i vendit

28/02/2013 18:40

Kryeministri Sali Berisha, në një takim me banorët dhe fermerët e Divjakës, parashtroi platformën e tij për zhvillimin e këtij rrethi dhe të gjithë Shqipërisë në mandatin e ardhshëm.

Sipas Berishës, i cili në këtë takim shoqërohej edhe nga Ministri i Transporteve dhe Telekomunikacioneve, Sokol Olldashi, thelbi i zhvillimit duhet të bazohet tek “përmirësimi i infrastrukturës rrugore, i teknologjisë dhe tek zhvillimi i njëtrajtshëm”.

”Në kohën kur ne ishim në opozitë, Shqipëria kishte një model zhvillimi që përjashtonte shumë zona të konsideruara si të parëndësishme. Qeveria ime e ka ndryshuar këtë trend, ka zhdukur zonat e zeza nga harta. Zhvillimi duhet të jetë i njëtrajtshëm, nuk ka zona të preferuara dhe të tjera jo, pasi çdo qytetar i Shqipërisë, çdo zonë e saj ka të njëjtën rëndësi”, deklaroi kryeministri Berisha.

”Në këto vite, ne kemi mundur të ndërtojmë 270 kilometra rrugë në këtë rreth dhe mbi 10 mijë kilometra rrugë në të gjithë vendin, duke bërë që prodhimet tuaja të dalin në treg më shpejt dhe më lirë. Në mandatin e ardhshëm, çdo rrugë e këtij Rrethi do të shtrohet dhe asfaltohet”, premtoi kryeministri.

Berisha shtoi se kjo politikë e zhvillimit të gjithanshëm do të vazhdojë, deri në zhdukjen e ndryshimeve në jetesën midis qyteteve të mëdha dhe zonave të vogla urbane e rurale.

Sipas tij, një mandat i ardhshëm për maxhorancën aktuale do të jetë në gjendje që të ndihmojë në shumëfishimin e prodhimit të fermerëve të Divjakës, falë subvencioneve dhe politikave shtetërore, duke rritur standartin e jetesës kudo në Shqipëri.

Top Channel