Australi, kapet sasi rekord amfetaminash

28/02/2013 00:00

Policia australiane ka deklaruar se ka realizuar sekuestrimin e sasisë më të madhe të amfetaminave, të fshehur në një anije që vinte nga jugu i Kinës.

Pesha e drogës në total është 585 kg dhe në treg do të kapte vlerën e 440 milionë dollarëve amerikanë.

Tre persona, një nga Singapori, një australian dhe një tjetër nga Hong Kongu janë arrestuar dhe pritet të paraqiten më vonë gjatë ditës në gjykatën e Sidnejit.

Policia ka njoftuar se ka gjasa që lidhur me sasinë e drogës të ketë arrestime të tjera brenda Australisë dhe jashtë saj. Të dyshuarit rrezikojnë dënime të rënda nëse shpallen fajtorë.

Në një konferencë për shtyp, shefi i policisë australiane tha se droga, e njohur ndryshe si “akulli”, u sekuestrua pas katër muajsh hetime, të ndihmuara nga një informacion telefonik.

Sipas tij, amfetamina vinte nga krahina Shenzhen e Kinës dhe ishte fshehur në një ngarkesë me kimikate për detergjentët e pastrimit.

“Kjo është një drogë e neveritshme, është nga ato lloje që i çakordon njerëzit. Telefonata që erdhi na mundësoi të zbulonim dhe godisnim një sindikatë krimi që do të ndalet përgjithmonë”, deklaroi komisari i policisë së Nju South Uellsit, Andrew Scipione.

Hetimi mbi këtë sasi rekord droge përfshiu Policinë Federale Australiane, Doganat, Policinë e Nju South Uellsit dhe Komisariatin Australian të Krimeve.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA