Afrika J., e shokuar nga brutaliteti policor

28/02/2013 15:30

Autoritetet afrikanojugore kanë nisur hetimet mbi një video amatore tronditëse të transmetuar në një televizion kombëtar, ku disa policë shfaqen duke prangosur një të dyshuar pas furgonit të tyre, përpara se të nisen dhe ta marrin zvarrë për qindra metra.

Si rrjedhojë e këtij trajtimi, një taksist 27-vjeçar me origjinë nga Mozambiku u dëmtua rëndë dhe humbi jetën në spital.

Ishte një kalimtar ai që filmoi ngjarjen e ndodhur në rrugët e Johanesburgut me një smartphone. Kalimtari dërgoi imazhet tek disa televizione kombëtare, të cilat transmetuan pamjet ne edicionet e lajmeve.

Një zëdhënës i Drejtorisë së Hetimeve të Policisë deklaroi se “ndihet i tronditur nga pamjet”, ndërsa pranoi se video “eshte autentike”.

Grupet e të drejtave të njeriut kanë protestuar prej kohësh për shfaqjet e brutalitetit policor në Afrikën e Jugut.

Sipas raportimeve të shtypin vendas, faji i vetëm i viktimës 27-vjeçare ishte parkimi i gabuar në një rrugë dytësore në Johanseburg.

Të irrituar nga sjellja e tij, policët e prangosën pas furgonit, i cili nisi të lëvizte me shpejtësi, duke i shkaktuar plagë vdekjeprurëse shtetasit mozambikas.

Në periudhën 2011-12, autoritetet kanë hetuar 720 raste të brutalitetit policor, midis tyre edhe disa raste fatale, në komisariate të ndryshme policore.

Ne 2012-n, policia afrikanojugore u sulmua ndërkombëtarisht, pasi hapi zjarr ndaj një proteste të minatorëve, duke vrarë disa dhjetëra prej tyre.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA