Presidenti i SHBA-ve, Barack Obama, ka nxitur Kongresin të veprojë kundër shkurtimeve të thella të shpenzimeve, të cilat priten të fillojnë këtë të premte.
Duke folur në një kantier detar në shtetin e Virginia-s, ai paralajmëroi se industria e mbrojtjes do të goditej jashtëzakonisht shumë.
Marina amerikane i ka paralajmëruar furnizuesit se mund të detyrohet të prishë kontratat e ardhshme, nëse shkurtimet do të hyjnë në fuqi.
Agjencitë amerikane të emigracionit dhe të doganave kanë nisur, ndërkohë, lirimin e emigrantëve të paligjshëm nga burgjet, si rezultat i kanosjes së shkurtimeve buxhetore.
Duke vënë në dukje “pasigurinë aktuale fiskale”, zyra e emigracionit dhe agjencitë doganore kanë bërë të ditur se qindra emigrantë ilegalë janë “vendosur në një formë të përshtatshme të lirimit të mbikqyrur, por me një kosto më të madhe”.
Të hënën, Sekretari për Sigurinë Kombëtare, Janet Napolitano, paralajmëroi se shkurtimet do të godisnin programet kryesore të departamentit të tij, përfshi sigurinë kufitare dhe atë nëpër aeroporte.
Duke lëshuar një “goditje” kundrejt ligjvënësve, Obama tha se shkurtimet prej 85 miliardë dollarësh, të njohura si sekuestrimi (apo izolimi), ishin “arbitrare” dhe “të pamenduara”.
“Ato janë si një plagë e vet-shkaktuar, që nuk duhet të ndodhin”, tha ai, duke folur përpara ndërtuesve të anijeve, të mbledhur për fjalimin e tij.
Obama fajësoi ligjvënësit republikanë se kanë dështuar në arritjen e një kompromisi, si dhe për refuzimin e rritjes së disa të ardhurave, për të zbutur goditjen e shkurtimeve.
“Janë shumë republikanë në Kongres tashmë, të cilët refuzojnë të arrijnë një kompromis, qoftë edhe me një lëvizje prej 1cm, kur bëhet fjalë për vakuumin e mbylljes tatimore dhe shkurtimin e disa normave të caktuara interesi”.
Top Channel