Kompromisi i parë në bisedimet Iran-“5+1”

27/02/2013 16:15

Negociatat midis Iranit dhe pesë vendeve me të drejtë vetoje në Këshillin e Sigurimit, plus Gjermania, dhanë rezultatin e parë pozitiv, pasi palët pranuan që të takohen sërisht në distancë disa-javore, për një seancë të re bisedimesh midis ekspertësh.

Një kompromis i tillë u lajmërua në një deklaratë të përbashkët të vendeve negociuese, të firmosur nga kryediplomatja e BE-së, baronesha Catherine Ashton dhe kryenegociatori iranian, Saeed Jalili.

Takimi i ardhshëm do të jetë në nivel ekspertësh dhe do të mbahet në 18 mars në Stamboll.

Që prej ditës së martë, i dërguari i Teheranit po negocion në Kazakistan me përfaqësuesit e SHBA-ve, Britanisë së Madhe, Francës, Rusisë, Kinës dhe Gjermanisë, në lidhje me programin bërthamor të vendit të tij.

Takimi është parë si vendimtar, pasi ai mund të shërbejë për lehtësimin e sanksioneve që Irani vuan për shkak të ambicieve të tij bërthamore ose mund të sjellë të kundërtën në rast dështimi, një rritje të mëtejshme të bllokadës dhe kërcënimeve për ndëhyrje ushtarake mbi Iranin.

Megjithatë, pavarësisht interesit të lartë publik për atë që po negociohet, formula e kompromisit që i është propozuar Iranit dhe kundërpërgjigja e tij e mundshme janë mbajtur sekret nga palët e interesuara.

Pas ndërprerjes së bisedimeve për programin bërthamor në mesin e 2012-s, vendi me 75 milionë banorë u gjunjëzua nga sanksione të ashpra financiare, mes të cilave bllokadë për eksportet e naftës dhe bllokim të të gjithë aseteve dhe transaksioneve financiare të bizneseve e shtetit iranian.

Këto masa sollën një përkeqësim drastik të nivelit të jetesës në vend, ndikuar nga një inflacion galopant dhe reduktimi i subvencioneve shtetërore për transportin, strehimin dhe edukimin, duke bërë që presioni brenda Iranit mbi presidentin Ahmadinejad dhe drejtuesit e tjerë të rritet.

Sipas Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe aleatëve të saj perëndimorë, Irani është duke zhvilluar një program bërthamor me qëllime ushtarake, por Teherani e ka mohuar gjithmonë këtë pretendim, duke thënë se reaktorët kanë si qëllim vetëm sigurimin e energjisë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA