Itali, rritet ndjeshëm kostoja e huamarrjes

27/02/2013 15:20

Kostot e huamarrjes për Italinë pësuan një rritje të ndjeshme të mërkurën, një shenjë e qartë e frikës që po përjetojnë investitorët për situatën e paqartë politike.

Zgjedhjet e përgjithshme të mbajtura të dielën dhe të hënën nuk nxorrën asnjë fitues dhe pritet që negociata të gjata dhe tepër të vështira për të krijuar një koalicion qeverisës të pasojnë.

Si rrjedhojë e gjendjes së paqartë, edhe bursa e Milanos njohu një rënie drastike prej pothuajse 5% në 24 orët e fundit.

Ditën e mërkurë, në një kërkesë për hua të Italisë në tregun e bonove të thesarit, Roma zyrtare shiti bono me afat 10-vjeçar maturimi me interes prej 4,83% për blerësit, nga 4,17% që ishte kjo normë në muajin janar.

Një bono thesari është praktikisht një kërkesë borxhi, të cilën shteti e nxjerr në treg dhe konsiderohet si forma më e sigurt e burxhit në ekonomi.

Italia përfitoi 6,5 miliardë euro nga ky operacion i realizuar këtë të mërkurë.

Megjithatë, pavarësisht panikut të investitorëve, lajmi i mirë për Romën është që interesi për huatë vazhdon të jetë nën kontroll, ende nën normën 5% që për bonot me afat maturimi 10-vjeçar konsiderohet si pika ndarëse mes një borxhi të përballueshëm dhe një tjetri të vështirë për t’u përballuar.

Qeveria e re italiane, cilado qoftë, do të përballet me sfida të vështira të reduktimit të defiçitit buxhetor dhe borxhit të përgjithshëm kombëtar, që në vitin 2012 u llogarit në nivelin e 127% të PBB-së, shumë më i lartë se norma e rekomadueshme prej nën 60% dhe norma e konsideruar e rrezikshme për ekonomitë e mëdha, prej 80%.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA