Itali, Grillo kundër të gjithëve

27/02/2013 00:00

Sapo u shpallën rezultatet zyrtare të zgjedhjeve të fundit në Itali, të gjithë rendën të deklarojnë se bëhej fjalë për një ngërç politik, për një rezultat që çfarëdo mund të prodhojë, por vetëm qeverinë e ardhshme jo.

E në fakt opinionet e tilla rezultojnë të sakta, të paktën nga ajo cfarë duket deri më tani. Koalicioni i së majtës, i udhëhequr nga Bersani doli fitues në zgjedhje, ka shumicën e nevojshme për të kaluar qeverinë në Dhomën e Deputetëve, por i mungon një gjë e tillë në Senat.

Koalicioni më i mundshëm ishte ai me Mario Monti, por as me forcën politike të këtij të fundit nuk sigurohet numri i nevojshëm në Senat për t’i dhënë bekimin qeverisë. Alternativa mbetet levizja e komedianit, Beppe Grillo.

Aleanca me të është një mision i pamundur. 163 të zgjedhur e Lëvizjes 5 Yjet, sipas analistëve kanë në dorë fatin e Italisë, mund të shndërrohen në faktor stablititeti, ose në faktor destabiliteti. E dyta ka më shumë mundësi.

Disa zëra nga brenda kësaj lëvizje deklaruan se nëse shihej një përputhje mes programit të tyre prej 5 pikash dhe alternativës qeverisëse së ardhshme, mund ta votonin atë. Por të mërkurën, Grillo hodhi poshtë këto zëra.

“Askush nga Lëvizja 5 Yjet nuk do të votëbesojë askënd, qoftë Bersani, qoftë Berlusconi. 5 yjet votëbesojnë vetëm pesë pikat e programit të tyre”, deklaroi ai në një intervistë për CNN.

Në fakt mediat e huaja janë i vetmi burim informacioni edhe për vetë ato italiane. Grillo refuzon daljen në këto media duke i akuzuar se së bashku me klasën politike janë bashkëfajtore të gjendjes ekonomike në Itali.

Grillo sulmoi ashpër kreun e PD-së, Bersani duke e quajtur “një të vdekur që flet”. Lideri i qendrës së majtë iu kundërpërgjigj duke deklaruar se ishte i hapur për të gjitha kritikat dhe sharjet e Grillos, por në parlament.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA