Rreth 200 mijë besimtarë në sheshin Shën Pjetër e
priten me duatrokitje të ngrohta mbërritjen e Joseph Ratzinger, në shfaqjen e tij të fundit në publik në këtë detyrë.
Sheshi u mbush dy orë përpara daljes së Benediktit XVI, i cili do të mbajë edhe dëgjesën e fundit.
Duke iu drejtuar besimtarëve Papa tha: “Nuk jam ndjerë kurrë vetëm, ju falenderoj. Nuk e braktis Kryqin, por do të qëndroj në një mënyrë të re”.
“Në këtë moment kam një besim të madh. Komuniteti i besimtarëve dëgjon dhe mirëpret fjalën e Zotit dhe ky është besimi im”, u shpreh Ratzinger. Më pas ai kujtoi se ‘kur në 19 prill tetë vite më parë pranoi të mbante këtë detyrë të rëndësishme, fjalët e tij qenë:”Zot përse ma kërkon këtë gjë? Eshtë një peshë që më vendos mbi shpatulla, por nëse ti ma kërkon unë e pranoj, sigurisht që ti do të më ndihmosh edhe me gjithë dobësitë e mia”.
“Tetë vite më pas, – thotë Papa i Tërhequr, – mund të them se Zoti më ka ndihmuar dhe më ka qëndruar pranë, pasi e kam perceptuar cdo ditë prezencën e tij”.
Pas përfundimit të këtij riti, Benedikti XVI do të largohet me helikopter. Nga ora 20 e datës 28, ai nuk do të jetë më Papë. Prej mbrëmjes së të enjtes do të mbajë titullin “Papa i Tërhequr Shenjtëria e Tij Benedikti XVI”.
85-vjeçari Ratzinger dha dorëheqjen më parë gjatë shkurtit, duke justifikuar këtë vendim me shëndetin e tij të dobët.
Megjithatë, procedura e dorëheqjes vendosi në vështirësi Vatikanin, pasi prej 600 vitesh, të gjithë Papët vdisnin në detyrë dhe nuk ishin regjistruar raste të tjera largimi të vullnetshëm.
Benedikti XVI është Papa i gjashtë në historinë 18-shekullore të Vatikanit që zgjedh dorëheqjen.
Top Channel