Bregdeti veri-perëndimor i Australisë është duke u goditur nga erëra të forta, disa orë pasi një ciklon i fuqishëm pritet të zbarkojë në tokë si një stuhi e kategorisë së katërt.
Ekspertë të motit thonë se shpejtësia e ulët e ciklonit Rusty ka të ngjarë të shkaktojë përmbytje të shumta. Parashikohen 600 mm (60 cm) reshje shiu për një periudhë 24-orëshe.
“Jemi duke folur për Arkën e Noes”, tha një parashikues moti. “Jemi duke pritur një sasi fenomenale reshjesh shiu, që nuk ka ndodhur ndonjëherë”.
Cikloni Rusty ka kaluar në një stuhi të kategorisë së 4-t gjatë të mërkurës, vetëm një rang larg kategorisë maksimale.
Në qendër të saj, erërat janë intensifikuar deri në 230 km/h, teksa të dhënat satelitore tregojnë se “syri i stuhisë” është 20 milje detare e gjerë, sipas mediave australiane.
Ardhja e Rusty-t drejt Port Hedland, në bregdetin verior, ka mbyllur aktualisht 3 portet kryesore të mineralit të hekurit në rajonin Pilbara, burimi më i madh në botë për mineralin e hekurit.
Ndërkohë që stuhia po bëhet gjithnjë e më e egër, erërat e forta të saj kanë krijuar dallgë deri në 6 metra lartësi. Popullata e Port Hedland ka krijuar stoqe të burimeve më të nevojshme jetësore, pas paralajmërimeve për t’u strehuar brenda në shtëpi.
“Pritet që komunitetet të ndikohen nga erërat e rrezikshme dhe shkatërrimtare për një kohë të konsiderueshme, për shkak të lëvizjes së ngadaltë të stuhisë”, bëri të ditur zëdhënësi i Byrosë Meteorologjike, Mike Bergin.
Byroja njoftoi gjithashtu se cikloni ka qenë pothuajse i stacionuar për disa orë, duke u luhatur rreth 100 km larg bregdetit.
“Ne mund të shohim disa zona me erëra të forta deri në 250 km/h”, tha parashikuesi i motit, Neil Bennett, për Korporatën Transmetuese Australiane (ABC). “Reshjet e shiut mund të arrijnë deri në 600 mm në 24 orët e ardhshme”.
Top Channel