Senati pa mazhorancë, Dhoma e Bersanit

26/02/2013 00:00

Ka përfunduar në Itali numërimi i votave për vendet e Senatit, nga ku fitues ka dalë koalicioni i qendrës së djathtë, me në krye partinë PDL të Silvio Berlusconit, e cila ka siguruar 116 vende kundrejt 113 të koalicionit të qendrës së majtë, të kryesuar nga partia PD e Pier Luigi Bersanit.

Në vend të tretë renditet “Lëvizja 5 Yjet” e komedianit Beppe Grillo, me 54 vende, ndërsa 18 vende i përkasin Mario Montit, ish-kryeministrit të dorëhequr dhjetorin e kaluar.

Me këto rezultate, ku bie në sy diferenca mjaft e ngushtë midis dy koalicioneve të qendrës së djathtë e asaj të majtë, zyrtarisht asnjë forcë politike nuk ka mundur të arrijë kuotën e nevojshme prej 158 vendeve në Senat, për të patur mazhorancën, gjendje kjo që e fut Italinë në një kolaps për formimin e qeverisë së ardhshme, për të cilën gjithçka mbetet në duart e Beppe Grillos.

Ndërkohë, numërimi ka përfunduar edhe sa i përket vendeve në Dhomën e Ulët, ku siç u bë e ditur më herët, koalicioni i qendrës së majtë shpallet fitues me 340 vende, edhe pse goditjen më të madhe e ka dhënë “Lëvizja 5 Yjet” e Beppe Grillos, e cila ka rezultuar si partia më e votuar e këtyre zgjedhjeve.

124 vende në Dhomën e Ulët do t’i përkasin qendrës së djathtë të Berluskonit, kundrejt 108 të Grillos dhe 45 të Montit dhe bashkëpunëtorëve të tij.

Ndërkohë, pas apelit të Angelino Alfano-s,
për të mos zyrtarizuar të dhënat, për shkak se marzhi i gabimit mund të
jetë më i madh sesa diferenca e votave mes dy koalicioneve, ka ardhur konfirmimi nga Pallati Viminale, sipas të cilit vetëm nga këtu do të
dalin rezultatet e detajuara dhe zyrtare. Ky njoftim mësohet nga
burime të Ministrisë, që theksojnë se shifrat e dhëna deri tani i
përafrohen zyrtares, por nevojitet një verifikim nga zyrat elektorale
përkatëse.

“Ne nuk i kemi marrë votat askujt, janë ata që i kanë humbur”. Është ky komenti i Peppe Grillos, lider i Lëvizjes Pesë Yjet, i cili mund të konsiderohet fituesi në këto zgjedhje, me 162 deputetë në të dy dhomat e parlamentit të ardhshëm italian.

Rezultati gati i barabartë mes dy koalicioneve, të majtët e Bersanit dhe të djathtët e Berluskonit, çon kështu në një lloj paralize në Senat. E si rrjedhojë del nevoja e krijimit të një aleance me “Lëvizjen Pesë Yjet”, përndryshe rrezikohen zgjedhje të reja.

Nga këto votime, ku morën pjesë 75% e personave me të drejtë vote, Italia doli shumë më e pastabilizuar, në të gjitha aspektet. Sipas Gianfranco Finit, i lidhur me një nga partitë e koalicionit të qendrës, ditë më të këqija do të vijnë.

Dëshmi e kësaj është reagimi i tregjeve, që reaguan pozitivisht, kur dukej se po fitonte e majta, dhe ranë menjëherë më pas, kur faktikisht forcat politike nuk kan shifrat e nevojshme për të qeverisur vendin.

Bersani: Situatë delikate, më të mirën për Italinë

“Qendra e majtë ka fituar në dhomën e ulët dhe, duke u nisur nga numri i votave, edhe në Senat. Është evidente për të gjithë, se kështu është krijuar një situatë delikate për vendin tonë”, kështu është shprehur Pier Luigi Bersani në prag të përfundimit të numërimit të votave, për Dhomën e Ulët dhe Senatin.

Ndërsa sekretari i PD-së ka siguruar: “Do t’i trajtojmë përgjegjësitë që na kanë dhënë këto zgjedhje në të mirë të vendit tonë”.

Alfano: “Asgjë të mos zyrtarizohet
“Marzhi i gabimit, më i madh se diferenca e votave

Sekretari i “Popolo della Liberta”, Angelino Alfano, ka kërkuar që të mos zyrtarizohen rezultatet e zgjedhjeve, duke deklaruar se “është e pamundur të shpallësh fituesin, nëse konsideron diferencën e votave”. Të dhënat, ka shpjeguar Alfano, janë “subjekt në mënyrë të pashmangshme të një marzhi gabimi, qartësisht më të madh sesa diferenca e votave, vërtet minimale, që po regjistrohet mes dy koalicioneve të para në Dhomën e Ulët”.

Rezultatet e ngushta të zgjedhjeve në Itali rrezikojnë që të dëmtojnë
rëndë shanset e secilës parti fituese që të formojë një qeveri, ndersa
me me shume se gjysmen e kutive te numeruara, duket se ka pak gjasa per
permbysje spektakolare.

Lista e “të përjashtuarve” nga parlamenti i ri

Është mbushur plot me emra të spikatur lista e “të dënuarve” të këtyre zgjedhjeve. Ndër më të “famshmit”, në vend të parë nuk mund të mos jetë presidenti aktual i Dhomës së Ulët, Gianfranco Fini. Por, edhe tek UDC janë të shumtë, ata që mbeten jashtë parlamentit të ri, si Paola Binetti, Rocco Buttiglione dhe sekretari Lorenzo Cesa. Nga Revolucioni Civil ka mbetur “në shtëpi” Antonio Ingroia, Antonio di Pietro dhe Giovanni Favia.

Në një situatë të tillë, votëbesimin për të krijuar një qeveri do ta merrte blloku i majtë i Bersanit, por mundësia që ai të marrë numrat e mjaftueshëm për të krijuar një qeveri duket e vështirë.

Rezultati befasues i partisë së komedianit Grillo, në nivelin e rreth 20% të votave në Parlament dhe 25% në Senat, e bën situatën politike në Itali tepër të ndërlikuar. Ky grupim eshte shprehur se nuk ka ndermend te jete pjese e asnje qeverie dhe se qellimi i tij do te jete te beje nje opozite te forte ndaj klases aktuale politike ne Parlament.

Pa Grillon, asnjë koalicion nuk arrin të formojë shumicën, kjo edhe përballë rezultatit të dobët të listës së kryeministrit Monti, i cili duket se ka grumbulluar rreth 10% në secilën prej dhomave të Parlamentit.

Kriza ekonomia dominoi debatet perpara zgjedhjeve

Këto zgjedhje u zhvillian në një klimë pesimizmi në Italinë e përfshirë nga probleme të rëndësishme ekonomike. Ekonomia e tretë më e madhe e Eurozonës përballet me një borxh të lartë kombëtar, rënie ekonomike dhe masa të ashpra kursimi.

Rënia drastike e besimit tek politika u konfirmua edhe me pjesëmarrjen e ulët, e cila sipas të dhënave zyrtare ra me 6% nga zgjedhjet e meparshme, duke u vendosur në histori këto zgjedhje si një prej votimeve që i kanë interesuar më pak italianëve ndonjëherë.

Këto zgjedhje të përgjithshme në Itali ishin të parakohshme, pasi në dhjetor deputetët e bllokut të Berlusconit tërhoqën mbështetjen për qeverinë Monti, duke sjellë rrëzimin e saj.

Pothuajse të gjithë kandidatët pjesëmarrës në këto votime kanë pranuar nevojën e programeve shtrënguese, për të rishëndoshur financat kombëtare, por ish-kryeministri Berlusconi sfidon këtë logjikë, duke premtuar ulje taksash dhe nxitje të mëtejshme për biznesin, si e vetmja mënyrë për të nxjerrë vendin nga kriza ekonomike.

Në programin e tij ekonomik, Bersani ka një program të bazuar tek shkurtimet, por me disa ndryshime të rëndësishme në krahasim me programin e Montit, të kritikuar prej ish-anëtarit të partisë komuniste si të paafektshëm dhe në gjendje vetëm që të zgjasë vuajtjet për italianët.

Loja italiane

Rregullat e lojës politike italiane i dikton i ashtuquajturi Porcellum, një ligj zgjedhor që është debatuar e kritikuar, por që deri tani nuk është ndryshuar.

Ky ligj garanton një shumicë shumë të qartë në Dhomën e Deputetëve, 340 vende, pra 55% e totalit, i jepet koalicionit që fiton zgjedhjet.

Por sa i qartë është për këtë dhomë të Parlamentit, aq i vagullt është për Dhomën tjetër, për Senatin. Atje llogaritja e shumicës bëhet duke shtuar tregues edhe në bazë rajonale.

Pra, bëhet vendimtare për koalicionet dhe partitë fitorja në sa më shumë rajone për të pasur sa më shumë vende në Senat. Lufta bëhet shumë e ashpër për shembull në rajonet e Lombardisë apo Venetos, të cilat “mbartin” secila rreth njëqind vende senatorësh.

Prandaj, skenaret e shumta të mundshme që mund të hapen pas zgjedhjeve kanë të bëjnë pikërisht me aleancat dhe marrëveshjet në Senat.

Nëse Partia Demokratike e majtë fiton thellë, ajo ndoshta nuk ka nevojë për aleanca me partinë e Montit. Por nëse fitorja e së majtës është më e kufizuar dhe nuk mjafton për krijimin e një shumice solide në Senat edhe me mbështetjen e Montit, atëherë gjilpëra e peshores është në dorën e lëvizjes pesë Yjet të Peppe Grillos, nëse ai vërtet do të fitojë ndjeshëm.

Teorikisht, aleati i tij duhet të jetë Partia Demokratike e Bersanit, por praktikisht ende nuk dihet se cili do të jetë qëndrimi i kësaj partie, që deri tani është njohur nëpër mitingjet e mëdha dhe në rrjetet sociale. Një forcë politike që mbledh rreth vetes të pakënaqurit, si nga e majta ashtu edhe nga e djathta.

Efekti Grillo

Në orët e ardhshme një tërmet politik mund të regjistrohet në Itali dhe valët sizmike mund të shpërndahen në kryeqytetet e Europës. Pak qartesi ka, çdo gjë që mund të ndodhë dhe për këtë duhet të jemi të vëmendshëm.

Shefi për çështjet europiane në BBC, Gavin Hewitt ne analizën e tij “Europa po mban frymen për efektin Beppe Grillo”, shkruan se aktori komik ka qenë boshti qëndror i zgjedhjeve në Itali. Në mitingjet e tij ka mbledhur mijëra njerëz në sheshet e vendit.

Nuk mban fjalime, bërtet me të madhe kundër klasës politike dhe elitave në Europë. Vëzhguesit e kanë cilësuar si “populist” apo “demagog”, ndërsa politikanët një kërcënim për demokracinë. Udheheqësi i koalicionit të qendrës së majtë, Luiggi Bersani është shprehur se: “Grillo rrezikon ta nxjerrë italinë nga shinat, për të devijuar në të njëjtën rruge që përshkoi Greqia”.

Beppe Grillo është sa komik, po aq i hidhur në fjalët që zgjedh dhe faktet që rrëfen. Megjithë tonet e ashpra kundër korrupsionit, ai ka pak ide, që do ta çonin përpara vendin.

“Lëvizja Pesë Yjet” ka një bosht të vetëm: Revolucionin Politik në Itali. Çdo gazetar i huaj ka qenë i mirëpritur në mitingjet e fushatës dhe ka dëbuar reporterët italianë-sipas tij- të njollosur nga sistemi.

Nëse Grillo siguron 20% të votave, kjo ndodh për meritë të tij sepse ai nuk ka dashur të flasë për asnjë media italiane. Fushata e tij është e mbështetur tërësisht në internet dhe momenti i tij kulmon mes turmave, në rrugë.

Nëse siguron më shumë se 20%, aktori komik mund të shndërrohet në një “lojtar politik”, përcaktues i qeverisë se ardhshme italiane. Beppe Grillo nuk do të bëjë pjesë në Parlament. Në të shkuarën ai është dënuar për një aksident me pasojë vdekjen e një personi.

“Kësisoj, Parlamenti i ri mund të ketë 70 apo 80 deputetë pa eksperiencë të Lëvizjes Pesë Yjet, por do t’u mungojë udhërrëfyesi që e themeloi”, thotë Hewit.

Sidoqë të shkojë, Grillo do të ketë zërin e tij. Ndoshta mund të kërkojë reformë zgjedhore, çmimi i tij për të bashkëpunuar me çdo koalicion qeverisës të ardhshëm.

Hewit e mbyll analizën e tij me një tjetër “ndoshta”: “Efekti Grillo ndoshta nuk do të ndodhë, por ne duhet ta shohim”, thotë ai.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA