
Një raund i ri bisedimesh mes fuqive të mëdha dhe Iranit mbi programin e
tij bërthamor ka filluar në qytetin Almati, në Kazakistan. Diskutimet
janë të parat që prej korrikut 2012, kur u mbyllën pa një rezultat.
Negociatorë nga Irani po takohen me homologë nga Shtetet e Bashkuara, Britania, Franca, Rusia, Kina dhe Gjermania, i njohur ndryshe si grupi “5+1”.
Fuqitë ndërkombëtare dyshojnë se Irani po përpiqet të zhvillojë armë bërthamore, akuzë kjo që mohohet vazhdimisht nga qeveria e Teheranit.
Ajo insiston se qëllimet e saj janë tërësisht civile, duke nënvizuar se me pasurimin e uraniumit synon të prodhojë izotope mjekësore.
Që prej vitit 2010, Irani ka pasuruar uranium në nivelin 20 për qind, një hap i rëndësishëm teknologjik drejt mundësisë për të prodhuar armë me uranium tejet të pasuruar.
Irani ka hedhur gjithashtu poshtë thirrjet e Perëndimit për ta ndalur aktivitetin e tij. Negociatorët perëndimorë në takim pritet t’i ofrojnë Iranit stimuj për të arritur një kompromis.
“Oferta paraqet shqetësimin ndërkombëtar për programin bërthamor iranian, si dhe u përgjigjet ideve të qeverisë së Teheranit”, ka deklaruar zëdhënësi i BE, Michael Mann. “Ne kemi avancuar disa propozime, të cilat shpresojmë që do ta bëjnë Iranin më fleksibël”, ka thënë më tej zëdhënësi.
Propozimet mund të përfshijnë lehtësimin e disa sanksioneve që i janë vendosur Iranit, në këmbim të çaktivizimit të impiantit të Fordos, ku pasurohet uraniumi.
Vala e sanksioneve ka shkaktuar dobësimin e ekonomisë iraniane, me rënien e blerjes së naftës, dobësimin e valutës dhe rritjen e papunësisë.
Televizioni publik iranian njoftoi se nga ana e tyre, negociatorët iranianë do të ofrojnë një “paketë propozimesh gjithëpërfshirëse”, por pa dhënë detaje.
Top Channel