Berisha: Gati për referendum; reagon PS

25/02/2013 00:00

Kryeministri Sali Berisha i kërkoi kreut te komisionit te ligjeve Ilir
Rusmajli qe te formuloje kerkesen per referendum per votimin e 3 ligjeve
per marjen e statusit kandidat.

Kjo pasi per berishen presidenti Nishani duhet te shprehet brenda marsit. Kryeministri tha se rama do humbe ne 23 qershor, ndaj skenari I bllokimit sipas tij do te vijoje dhe rruga e vetme eshte referendumi.

“Referendumi mbetet për t’u mbajtur pas zgjedhjeve. Sic do ta shihni, zoti Edi Rama po përgatit me vendosmëri skenarin e vitit 2009. Zoti Rama e di që ka të garantuar humbjen në zgjedhje. Unë jam këtu për t’i thënë Ramës: Bëj ç’të duash dhe kurrë mos e njih rezultatin. Zgjedhjet do të jenë të lira dhe të ndershme dhe Rama në mënyrën më absolute do të anashkalohesh nëpërmjet referendumeve dhe nuk do të kesh me tagër kurrë të bllokosh procesin e integrimit. Zoti Rusmali, si kryetar i Komisionit të Ligjeve, formuloni tekstin që këto ligje të shkojnë në referendum. Duhet ta dorëzojmë sa më shpejt në KQZ, në mënyrë që Presidenti të ketë mundësi në mars të japë verdiktin e tij. Si deputet i këtij vendi kam dëshirë të vendos firmën time në kërkesën për këtë referendum”, tha Berisha.

PS: Berisha, broçkulla në kohë krize

Partia Socialiste ka akuzuar kryeministrin Berisha dhe qeverinë e tij si përgjegjëse për situatën e rëndë të kriminalitetit që ka përfshirë vendin, duke mos kursyer as oficerët e policisë.

Në një deklaratë për mediat, Milena Harito ka deklaruar se kryeministri nuk mund të mjaftohet vetëm duke u bërë homazhe viktimave të krimit, por duhet të angazhohet seriozisht për ta luftuar atë dhe jo të sulmojë më kot opozitën.

“Ndërkohë që në Shqipëri gjendja e kriminalitetit dhe pasigurisë është e krahasueshme me një vend në gjendje lufte, kryeministri na shfaqet me broçkullat e zakonshme, duke marrë nëpër gojë opozitën dhe duke i caktuar Presidentit të Republikës dhe institucioneve të tjera të pavarura detyrat dhe objektivat për muajt e ardhshëm.

Së pari, një nga problemet që Europa ka me Shqipërinë është pikërisht ndërhyrja e pushtetit ekzekutiv, qeverisë, tek pushtet e tjera të pavarura. Së dyti, qoftë Europa, qoftë SHBA si aleatët tanë, e kanë bërë të qarte se kusht për marrjen e statusit janë zgjedhjet.

Së treti, i kujtojmë kryeministrit se duke hedhur baltë mbi opozitën, as situata e krimit nuk zgjidhet, as vende pune nuk hapen dhe as shërbimi shëndetësor nuk përmirësohet.

Është ai dhe qeveria e tij, që paguhen për të qeverisur. Janë ata përgjegjës që në 8 vitet e fundit situata ka ardhur këtu ku është dhe janë ata që në 23 qershor do largohen me votën e popullit.

Me modelin tonë qeverisës, ne do t’i kthejmë dinjitetin policisë në radhë të parë. Do të bëjmë të mundur që çdo punonjës policie që do të kryejë detyrën e vet ndershmërisht të ndihet jo i braktisur, jo i përbuzur nga shteti, por i vlerësuar, i respektuar dhe sigurisht i mbrojtur në jetën e tij”, ka deklaruar Harito. 

Top Channel