“S’bëhemi europianë me forcë”

24/02/2013 15:50

Partia Republikane zhvilloi dje në qytetin e Vlorës aktivin e degës së këtij rrethi. Në këtë takim merrnin pjesë kryetari i PR-së, zoti Fatmir Mediu, anëtarë të kryesisë, drejtuesit lokalë të PR, si dhe një numër i madh simpatizantësh.

Gjatë zhvillimit të këtij aktivi, strukturat lokale të degës Vlorë morën angazhimet përkatëse në prag të fushatës lokale, duke i bërë të qartë elektoratit angazhimin e tyre për pritshmëri maksimale në zgjedhjet e 23 qershorit, mobilizimin e çdo qelize të kësaj dege, si dhe vendosjen e urave të reja të bashkëpunimi me votuesit, për një politikë që është gjithnjë e më pranë qytetarit.

Punimet e këtij aktivi i përshëndeti edhe kryetari i PR-së, zoti Fatmir Mediu. Në fjalën e tij para të pranishmëve, zoti Mediu u shpreh se ka ardhur koha e një reflektimi mbarëkombëtar në raportin që politika ka ndërtuar dhe duhet të ndërtojë me qytetarin, tani më shumë se kurrë, kur synimi i vetëm është integrimi në familjen europiane.

Duke e parë reflektimin politik ngushtësisht të lidhur me çështjen kombëtare, zoti Mediu u shpreh se ajo nuk mund të jetë peng i interesave momentale politike, siç po e trajton Partia Socialiste, e cila duke bllokuar votimin e tri ligjeve, bllokoi mundësinë e integrimit të qytetarëve shqiptarë në Europë. “Nuk mund të bëhemi europianë, për nga mënyra me sa forcë e kërkojmë atë, por nga mënyra se si sillemi dhe si veprojmë” – u shpreh zoti Mediu.

Një tjetër pikë, në të cilën u ndal zoti Mediu, ishte edhe çështja e pronës, ku deklaroi se zgjidhja e këtij ngërçi për shoqërinë shqiptare është kthyer në një nga prioritetet, që BE i kërkon me forcë Shqipërisë.

“Qëndrimi që Partia Socialiste ka ndaj pronës, por gjithashtu edhe ndaj të përndjekurve, është një një demagogji e pastër, jo vetëm për faktin se historia e PS ka qenë histori e dënimit dhe e ndëshkimit të qindra familjesh të përndjekurish dhe pronarësh, por edhe pasi programi aktual i PS nuk reflekton asnjë marëdhënie të kësaj partie me këtë shtresë”, përfundoi zoti Mediu.

Top Channel