Socialistët në qytetin e Kukësit janë përfshirë në një konflikt, që lidhet me drejtimin e degës. Deputeti socialist, Asllan Dogjani, në një konferencë për shtyp, lëshoi kritika ndaj kreut socialist Edi Rama.
“Para dy-tre ditësh i kam bërë një letër kryesisë dhe grupit parlamentar. Konkretisht bëhet fjalë për një ankesë, që kanë bërë të gjithë anëtarët dhe strukturat socialiste në rrethin e Kukësit, në lidhje me emërimin e një personi në krye të partisë së rrethit, pa u marrë mendimi i anëtarëve dhe strukturave të Partisë Socialiste të Kukësit. Për çfarë kemi luftuar ne? Pikërisht për këtë demokraci, që gjithsecili që synon të bëhet kryetar të dalë nëpërmjet votës dhe jo të emërohen nga kryetari i partisë”, tha Dogjani.
Pak minuta më vonë, një reagim ka ardhur nga një tjetër përfaqësues i Partisë Socialiste në Kukës.
“Anëtarësia e Partisë Socialiste ka mbështetur dhe mbështet vetëm alternativat, që dalin nga forumet drejtuesit të Partisë Socialiste qendër, dhe jo qëndrimet personale të individëve të veçantë, qoftë dhe ata me mandat të dhënë nga Partia Socialiste. Në emër të PS-së, u bëjmë thirrje të gjithë drejtuesve të PS-së në nivel lokal, u bëjmë thirrje anëtarësisë së PS-së, u bëjmë thirrje të gjithë atyre që duan zhvillimin dhe Rilindjen kombëtare, të bashkëpunojnë dhe të jenë korrekt me detyrat e lëna nga Partia Socialiste. Të zbatojnë me korrektësi të gjitha detyrat, pasi viti 2013 është viti i ndryshimit dhe ne, të gjithë së bashku, do ta bëjmë ndryshimin”, tha Rozafat Sopaj, sekretar organizativ, PS Kukës.
Konflikti i nisur në degën e Partisë Socialiste të Kukësit lidhet me listat e kandidatëve për deputetë, që Partia Socialiste do vendosë në këtë qark.
Top Channel