Nacionalizmi, paralajmërimi amerikan

14/02/2013 00:00

Një dokument, pjesë e shkëmbimeve zyrtare midis Uashingtonit dhe Tiranës, një memo konfidenciale, por jo sekrete, iu adresua Shqipërise pak ditë më parë.

Dokumenti, të cilën ambasada amerikane në Tiranë dhe Ministria e Jashtme refuzuan ta komentojnë,  u la mbi tryezën e ministrit të Jashtëm, në datën 28 janar dhe u arrit të sigurohej pas një investigimi disa-ditor të gazetarëve të “Top-Channel”, duke u transmetuar ekskluzivisht në “Top-Story”, emisionin e përjavshëm politik të drejtuar nga Sokol Balla.

Dokumenti në fjalë, i cili mban disa pjesë të censuruara, në lidhje me zhvillime delikate në vende të tjera të rajonit, është prova më e qartë e shqetësimit amerikan për retorikën nacionaliste dhe spostimin e vëmendjes nga problemet kryesore të vendit.

Shqetesimi për retorikat e nacionalizmit nga Uashingtoni duket se lidhen jo vetëm me këto deklarata, të cilat edhe Departamenti i Shtetit i vlerëson si kryesisht me qëllime elektorale, por me pasojat dramatike që mund të sjellin rrjedhoja dhe të cënojnë stabilitetin në rajon.

Me amerikanët, është gjithmonë keshtu, njëra palë e politikës shpreh gjithmonë pakënaqësi pasi mbështet anën tjetër, por ne mbetemi një popull thellësisht pro-amerikan, çka do të thotë se ata janë mirë me shqiptaret dhe zakonisht, çfarë është mirë për amerikanet, ka qenë edhe me ne.

Por, çfare pasojash mund të ketë sidomos tani, kjo memo e zbardhur pjesërisht nga “TCH”, a përbën ky shqetesim zyrtar një spostim të interesit dhe vëmendjes se SHBA-së drejt Shqipërisë dhe kujt i adresohet ajo?

Për të gjitha këto, Sokol Balla solli në studion e tij një panel të shquar ekspertësh, duke nisur nga ish-kryeministri dhe deputeti i Partisë Socialiste, Pandeli Majko. Artan Hoxha, analist dhe drejtues i “Tirana Business University”, Lisian Bashkurti, sekretari i marrëdhënieve të jashtme të Aleancës Kuqezi, sekretari politik i FRD-së, Afrim Krasniqi dhe analisti i mirënjohur, Shpëtim Nazarko.

TEKSTI I MEMOS QE AMBASADA AMERIKANE I DOREZOI MINISTRISE SE JASHTME SHQIPTARE (teksti përmban vetëm pjesët konfidenciale të zbardhura nga Sokol Balla në “Top Story”)

“Ne jemi tejet të zhgënjyer dhe të shqetësuar se liderët shqiptarë po i largohen rolit tradicional konstruktiv që Shqipëria ka luajtur në rajon.

Deklaratat e fundit publike të bëra nga politikanët shqiptarë kanë kapërcyer vijën e diskutimeve të përgjegjshme, në atë të retorikës kundërproduktive dhe potencialisht të rrezikshme. Këto deklarata jo vetëm nxisin sjellje gjaknxehta dhe tërheqin vëmendjen nga përparësitë e vërteta të rajonit, por gjithashtu potencialisht nxisin dhunën, gërryejnë paqen dhe stabilitetin dhe ndikojnë në marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara…duke përdorur mesazhe negative etnike për qëllime politike, është destabilizuese dhe kundërprodhuese.

Përdorimi i mesazheve etnike negative për qëllime politike duhet të ndalojë tani! Zgjedhjet e ardhshme parlamentare nuk janë justifikim për retorikë të papërgjegjshme.

Ne i bëjme thirrje politikanëve shqiptarë dhe liderëve politikë të sillen në mënyrë të përgjegjshme dhe të mos futen në punët e brendshme të Serbisë. Përkundrazi, fokusohuni në përparësitë e popullit shqiptar në Shqipëri: zgjedhje të lira dhe të ndershme, integrimi me Bashkimin Europian, mundësi të përmiresuara ekonomike etj.

Shqipëria mund dhe duhet të jetë një fqinj i përgjegjshem dhe bashkëpunues, por politikanët e saj duhet fillimisht t’i rrinë larg tentacionit për të luajtur kartën nacionaliste. Nuk po beni një përshtypje të mirë, ndërsa përgatitemi për ardhjen në krye të Departamentit të Sekretarit të ri të Shtetit.

Mos na bëni t’ju dënojmë publikisht!”

Interpretimi i memos në studio

Duke nisur nga fundi i deklaratës, që shkruante “mos na detyroni t’iu dënojmë publikisht”, Majko ishte i pari që nisi komentin në studio. “Është hera e parë që shoh një gjuhë të tillë, një gjuhë që edhe pse konfidenciale, është shprehje e nivelit të konfidencës midis dy shteteve. Është një gjuhë pa asnjë lloj finese, është e pazakontë, tregues se diçka nuk ka funksionuar dhe besoj se do të jetë menjëherë pas ngjarjeve të Preshevës”, argumentoi Majko.

”Dokumente të tilla, mbase mund t’i jenë dërguar edhe shteteve të tjera fqinje. Aktualisht jemi në një situatë ku pozicioni ynë është delikat, me Serbinë dhe Kosovën që po diskutojnë në mënyrë shteruese balancat shumëvjeçare në marrëdhëniet midis tyre dhe kjo ka sjellë një lloj nervozizmi. Është çështje konfidence, në sensin e diskutimit të gjerave, pa letra përpara”.

Si përfaqëues i Aleancës Kuqezi, zoti Bashkurti e vlerësoi si tepër të rrezikshme këtë memo, ndërsa theksoi se ajo i adresohet vetëm Tiranës zyrtare dhe jo partive të tjera, si forca që ai përfaqëson, që mund të kenë ndikuar në acarimin e marrëdhënieve dypalëshe. “Bëhen tetë muaj që AK ka hyrë në jetën politikën dhe në këto muaj s’ka pasur mekanizma ne fuqi, të ishte kaq dinamike, që të lëvizte të gjithë faktorët e politikës shqptare. Nuk është AK ajo që ka shkelur vijat e kuqe të parimit të së drejtave ndërkombëtare, fqinjësinë e mirë dhe respektimin e pakicave etnike, as përgjegjëse për cënimin e bashkëpunimit, paqes e stabilitetit. AK ka thënë dhe ritheksuar se idealin patriotik do e kemi pjesën kryesore, por nuk ka asnjë tejkalim të normave ndërkombëtare”.

Në lidhje me adresimin e kësaj memo, Bashkurti theksoi: “Dokumentin e shikoj të drejtuar qeverisë dhe pajtohem edhe më shumë me shqetësimin, pasi që në pjesën e dytë të 100-vjetorit, qeveria bëri gabime serioze në politikë, ndërhyrje në shkencë, qëndrime që mbajti ndaj historisë. Ne bëmë një miting shumë serioz, takuam një popull në kufi. Memo i drejtohet kësaj qeverie. Nacionalizmi ka si qëllim të mbulojë dështimet e mëdha dhe të përsëritura, si krimi i organizuar që lulëzon, pastrimi i parave, trafiqet e drogës që e kanë bërë Shqipërinë një Kolumbi në sytë e ndërkombëtareve dhe dështimi fatal i mosintegrimit për vit të tretë radhazi”.

Në ndërhyrjen e tij në studio, Krasniqi, sekretari politik i Frymës së Re Demokratike, deshi të theksonte se memo “nuk përdor tonet urdhëruese të një vendi të madh, por përdor kapitalin politik dhe në marrëdhënie që kanë dy shtete tona”. Ai vlerësoi gjithashtu se nuk është hera e parë që është bërë ky koment, kujtoi një deklaratë shqetësuese të ambasadës amerikane në OSBE mbi çështjen dhe një tur i takimeve të ambasadorëve në përfaqësitë e huaja. “Ne, në çdo takim ndërkombëtar, kemi pasur përkrahjen dhe kreditin se kemi nxitur stabilitetin në rajon. Është pikërisht ky faktor ai që ne rrezikojmë të humbim”.

Për Artan Hoxhën, është e gabuar që qeveria të konsiderohet si “adresa” e vetme, e memos që i është dorëzuar Ministrisë së Jashtme. “Po e quajmë memo sepse “Top-Channel” ka të drejtë të thotë që është i këtillë, ka burimin e vet, e marrim të mirëqënë edhe që ata e kanë të konfirmuar nga burime diplomatike të huaja. Vihet re që ka një nerv amerikan në lidhje me retorikën apo prirjen nacionaliste te vërejtur muajt e fundit, adresuar jo vetëm neve, por kombit. Politikanët, ama të gjithë heqin përgjegjësinë nga vetja. Këtu në studio ka tre parti opozitare, por mungon qeveria. Për të kuptuar se kujt i drejtohet memoja në fjalë, shohim fjalët kyçe të saj. 1. Kalimi i një kufiri normal të terminologjisë, 2. Përdorimi i epiteteve negative etnike. 3. Mos ndërhyrja në punët e brendshme të Serbisë. Nqs duam të kuptojmë kujt i drejtohet, le t’i thërrasim kujtesës të veprimeve dhe deklarimeve të liderve në Shqipëri, Kosovë e Maqedoni, për të hulumtuar më tej. A i drejtohet të gjithëve? Më duket se po. A i drejtohet të gjithëve njësoj? Më duket se jo. Ndërhyrja në punët e Serbisë? Kujtoj vetëm një deklaratë që mund të konsideroj si të tillë”.

Por, për Nazarkon, analiza e Hoxhës bie në kontrast me logjikën e dërgimit të një letre adresuar të gjithëve, në mënyrë konfidenciale, në zyrën e ministrit të Jashtëm. “Ne s’kemi nevojë të bëjmë analizë paragrafësh. Kjo letër ka gjetur Ministrinë si derë të caktuar. Unë nuk merrem me parti politike, por me qeverinë përkatëse. Qeveria amerikane, i dha qeverisë shqiptare këtë letër. Kur kishte punë me një parti tjetër, shkoi tek një parti tjetër, sepse jemi në pluralizëm dhe jo në qeveri të centralizuar. Ato që SHBA ka problem me AK-në, ja tha përpara disa ditësh ambasadori Arvizu në një takim direkt. Megjithatë, disa ditë më parë, ambasadori Arvizu tha një shprehje që kaloi si pa u vënë re: “Mos na i bëni të pamundura gjërat tona të vështira në lidhje me ju”. Për mua ëshntë po aq e rëndësishme sa memo dhe një deklaratë vërtet e rrezikshme.

Ndryshe nga shumica e deklaratave të opozitës, Majko mbështeti në momentin e caktuar, deklaratën e Berishës për shtrirjen e Shqipërisë nga Presheva në Prevezë. “E përsëris, deklarime të tilla në 100-vjetor bëhen të një karakteri emocional dhe për momentin mund të ketë justifikimet e veta. Unë rikthehem tek fakti që diskutojmë një varg sinjalesh, që ulin raportin e aleatit tonë strategjik në një varg problemesh. Ndërsa deklarata e mësipërme mua të parit m’u duk e justifikueshme, ka disa gjëra që janë të pajustifikueshme, si insinuatat për ndryshimin e territorit, deklarata për rishikimin e marrëdhënieve me Serbinë, në një kohë kur një javë më pas ambasadori serb hapi një zyrë kulturore në Fier, për një pakicë që në të vërtetë janë boshnjakë. E shumë të tjera si këto”, komentoi Majko.

Deklarata e Kryeministri Berisha në Konferencën e Sigurisë në Mynih

“Nëse ju shihni hartën e Europës, nuk gjeni vend tjetër të rrethuar nga bashkëkombas dhe deti, siç janë sot shqiptarët të ndarë në 5 shtete. Unë besoj se nëpërmjet procesit të Bashkimit Europian, kufijtë bëhen të parëndësishëm, por e rrezikshme është idea sipas të cilës meqenëse shqiptarët janë të copëtuar në 5 shtete duhet të shndërrohen në 5 kombe të ndryshme nga njëri-tjetri. Kjo është tërësisht e papranueshme. Kjo do të prodhonte dhe provokonte reagimin e kundërt. Unë kam mbështetur dhe përshëndes dialogun midis Prishtinës dhe Beogradit në Bruksel. Padyshim ai ka arritur disa suksese kyçe. Por mendoj se qëndrimet e çliruara nga albanofobia dhe ecja drejt pajtimit janë vendimtare. Në rajon situata më delikate është ajo e shqiptarëve. Duhet ta pranojmë se janë i vetmi komb që jeton në 5 shtete. Një komb, i cili padrejtësisht  është i ndarë në 5 shtete, një komb që dëshiron të shikojë drejt një të ardhmeje të përbashkët. Por, sërish albanofobia është akoma në veprim”, deklaroi Berisha në fjalën e tij. Sepse në rast se nga njëra anë tjetri flet për perspektivën e marrëdhënieve bilaterale dhe nga ana tjetër feston datat e fillimit të fushatave të shfarosjes së kombit shqiptar, imagjinoni vetë se çfarë mesazhi fqinjësie është ky. Prandaj e konsideroj të domosdoshme të zbatohen marrëveshjet, të punohet për klimën e pajtimit. Duhet të hiqet dorë nga albanofobia dhe përpjekjet për të klonuar 5 kombe shqiptare të veçanta nga një komb, i cili në të vërtetë është një dhe në shekuj e mijëvjeçarë  ka qenë vetëm një”, deklaroi kryeministri Berisha në Konferencën e 49-të të Sigurisë së Mynihut.

Ish-kryeministri dhe deputeti i PS-së, Pandeli Majko i cilësoi si krejtësisht elektorale deklaratat e nacionaliste të Berishës. Ai tha se qeveria Berisha përgjatë gjithë këtyre viteve ka qenë ndër më të heshturat përsa i takon cështjes së shqiptarëve, dhe befas në prag të zgjedhjeve shohim agresivitet.

Analisti Shpëtim Nazarko, referuar deklaratës së kryeministrit mbi albanofobë akuzoi se albanofobë janë dy kryeministrat e dy shteteve shqiptare, Berisha dhe Thaçi që sipas tij po luajnë me fatet e kombit për hir të pushtetit të tyre. Thaci dhe Berisha, tha zoti Nazarko, kanë patur në dorë bashkimin ekonomik dhe të lëvizjes mes Shqipërisë dhe Kosovës, por për hir të pushtetit të tyre kanë refuzuar të bëjnë dicka të tillë.

Analisti Afrim Krasniqi  tha se këto lloj deklaratash, në një konferencë ndërkombëtare për sigurinë tregojnë përdorimin e kartës së nacionalizmit thjesht dhe vetëm për vota. Të jeni të sigurtë që pas zgjedhjeve do t’i harrojë këto deklarata”, tha ai.

Por për Artan Hoxhën e gjithë klasa politike shqiptare po mundohet të strukturojë mesazhin e përcjelljë nga populli përgjatë festimeve të 100-vjetorit. Në këto festime, sipas tij, mesazhi i përcuar ka qenë për bashkimin e shqiptarëve, rrugën dhe mënyrat se si mund të ndodhë kjo, tha Hoxha, i ka në dorë politika.

21 janari dhe axhenda amerikane në Shqipëri

Një tjetër pikë “ftohje” më SHBA ishte vendimi për 21 Janarin. SHBA u përfshi në këtë cështje me kërkesë të Prokurorisë dhe Qeverisë shqiptare përgjatë hetimeve. Hetimet e ndërmarra në laboratorin kriminalistik të FBI-së akuzonin ish-kreun e gardës Ndrea Prendi dhe gardistin Agim Llupo për vrasjet. Por gjykata i shpalli të pafajshëm për “mungesë provash”.

Vendimi i Gjykatës së Tiranës shkaktoi reagimin e ashpër të Ambasadës Amerikane. Në një letër për të shpërndarë për mediat, SHBA shprehej e tronditur nga ky vendim, ndërkohë që reagimi amerikan u quajt nga gjykata një ditë më vonë si ndërhyrje. Kryeministri Berisha refuzoi të komentojë vendimin duke deklaruar se nuk komenton vendimet e gjykatave.

Deputeti socialist, Pandeli Majko deklaroi se gjykata me paturpësi i kundëpërgjigjet Ambasadës Amerikane. Ai tha se e gjithë kjo histori, është përgatitje e Berishës për t’u mbrojtur nga presioni i ndërkombëtarëve nëse zgjedhjet e 23 qershorit nuk janë të lira dhe të ndershme dhe kontestohen. “Nëse mendon që me kostumin e nacionalistit do të krijojë një kostum antiplumb nga cdo lloj goditje që do t’i vijë nga ndërkombëtarët, do t’i thoja që e ka gabim”, deklaroi Majko.

Analisti Artan Hoxha tha se mesazhi i amerikanëv është i kuptueshëm: merruni me punët e vogla brenda vendin, se cështjet e Ballkanit ka kush i zgjidh. Jo të mos merremi fare, por si duhet dhe aq sa duhet pa i hapur punë shtesë aleatit tonë të madh. Për zotin Hoxha tre liderët shqiptarë, Nano, Berisha dhe Rama kanë në histori disa momente për të cilat kanë patur kërkesa dhe presione të qarta nga ndërkombëtarët dhe kur e kanë ndarë mendjen, e kanë bërë. Rama 20 janar 2011, tha ai, Berisha me delaratën e Mynihun dhe Nano Dushkun.

Përfaqësuesi i AK-së, Lisen Bashkurti tha se nuk po ndryshon qendrimi i amerikanëvë karshi Shqipërisë, por se Shqipëria po i shmanget axhendës së saj duke rrëshqitur në retorika të pabazuara. “Ekzekutivi aktual ka rrëshqitur sepse ka patur gjithmonë sindroma anti-amerikan, jo kundër popullit amerikan, por kundër vlerave të demokracisë amerikane sepse ne gjithnjë kemi shkelur parimet e zgjedhjeve të ndershme e të lira”, tha zoti Bashkurti.

I të njëjti mendim ishte edhe analisti Shpëtim Nazarko. Nazarko tha se SHBA nuk mbështet qeverinë shqiptare, por drejtësinë në Shqipëri. Në fjalën e mbylljes, deputeti Majko tha se nuk beson se të tilla “fërkime” mund të ndodhin me ardhjen e PS-së në pushtet.

“Nuk besoj se do të vijë një memo e tillë. Është e vërtetë që Shqipëria hyri në NATO gjatë PD-së në pushtet, por koha po tregon që nuk dinë të sillen si anëtare të NATO-s dhe kryeministri aktual nuk arrin të kuptojë se nëse implikohet Shqipëria në një destabiliteti në rajon, nuk implikohet vetëm Shqipëria, por gjithë NATO. Ne duhet të flasim shqip duke menduar anglisht”, tha ai.

Top Channel