Ndjekje penale për vjedhje vëllait të Ndrea Prendit

12/02/2013 00:00

Vëllai i ish-komandantit të Gardës së Republikës, të akuzuarit për
vrasjet e 21 janarit, është një nga të dyshuarit për vjedhjet e kryera
në ish-burgun e Spaçit, tashmë të shpallur në qendër muzeore.

Bëhet fjalë për njërin nga të dërguarit për ndjekje penale në gjendje të lirë, pasi dyshohet se vidhnin hekurishte në ambientet e ish-burgut. Ai është Nikoll Prendin, 58 vjeç, që sipas të dhënave të besueshme nga policia e Mirditës është vëllai i Ndrea Prendit.

Burimet policore shpjegojnë se informacioni që 58-vjeçari është vëllai i Ndrea Prendit është mësuar pas shoqërimit të tij për shkak të ndërhyrjeve që kanë pasur për këtë emër. Gjatë hetimit të mëtejshëm ka rezultuar se 58-vjeçari është vëllai i ish-komandantit të Gardës.

Vetëm dy ditë më parë, policia e Mirditës deklaroi zyrtarisht se ka dërguar për ndjekje penale disa prej personave, që kanë vjedhur materiale të ndryshme për skrap në ish-burgun e Spaçit. Policia tha se ka dërguar për ndjekje penale në gjendje të lirë Pashk Lleshajn, 65 vjeç, Zek Kocën, 55 vjeç, Pal Nikollin, 38 vjeç, Ilir Tucin, 31 vjeç, Marin Merfanën, 18 vjeç dhe Nikoll Prendin, 58 vjeç, që të gjithë me banim në zonën e Repsit.

Sipas burimeve zyrtare të Policisë së Mirditës, gjashtë të sipërpërmendurit janë kapur nga policia, teksa po shembnin ndërtesat e ish-burgut të Spaçit. Po nga grupi hetimor mësohet se ata janë kapur në ambientet e jashtme të ish-burgut, i cili është shpallur Qendër Muzeore e Kategorisë së Dytë, duke marrë materiale hekuri. Sipas policisë, mësohet se ata kishin nisur të prishnin godinat e këtij ish-burgu, duke i shembur ato dhe duke u marrë hekurin që ndodhet në soleta. Aktiviteti i shkatërrimit të kësaj prone shtetërore ka nisur prej kohësh, pasi është dëmtuar një pjesë shumë e madhe e ndërtesave të këtij ish-burgu. Gjithashtu janë mbyllur minierat ku punonin ish të burgosurit, pasi janë vjedhur shinat dhe vagonët që nxirrnin mineral. Ndërkaq, duke kryer verifikimet e mëtejshme, rezultoi se i arrestuari Nikoll Prendi, i biri i Pjetrit dhe Dilës, lindur në Spaç dhe banues në Reps të Mirditës është vëllai i Ndrea Prendit, 54 vjeç, lindur në Spaç dhe banues në Tiranë.

Tashmë, edhe vëllai i “gjeneralit” duhet të përgjigjet para drejtësisë për dyshimet e ngritura nga policia. Megjithatë, të proceduarit penalisht për vjedhjet në ish-burgun e Spaçit janë shprehur se nuk e dinin që ishte e ndaluar të shkatërronin objektin, që është shpallur qendër muzeore. Policia nuk ka pranuar të komentojë nëse vëllai i tij, Ndrea Prendi, ka ndërhyrë për të lehtësuar pozicionin e të proceduarit penalisht, ndërkohë që të gjithë të proceduarit penalisht pritet të merren në pyetje edhe nga prokuroria.

Gazeta “Shqip”

Top Channel