
Konsumatorët shqiptarë preferojnë shumë mishin e lopës, por sa të sigurtë janë ata për cilësinë? Pakkush e di që shpesh mishi që konsumojnë përmban hormone të rrezikshme, të cilat janë të ndaluara në vendet e Bashkimit Europian.
Një investigim i bërë së fundmi nga “Balkan Insight” ka treguar se për pesë vite me radhë, autoritetet shqiptare kanë lejuar importin dhe përdorimin e bagëtisë, të shtuar nëpërmjet hormonit të njohur si Boldemec LA, shumë i rrezikshëm për shëndetin e njerëzve. Shkrimi shpjegon se përbërësi kryesor është një steroid i quajtur Boldenone, i krijuar për përdorim veterinar, kryesisht për trajtimin e kuajve. Investigimi shton se pavarësisht dekreteve shqiptare mbi përdorimin e hormoneve, Boldemec LA gjendet në listën e lejuar të barnave veterinare për vite me radhë, ndërsa sipas ekspertëve, konsumi i mishit të rritur me Boldenone mund të jetë i rrezikshëm nëse përdoret për një kohë të gjatë.
Materiali i botuar thekson gjithashtu se dokumentacioni i përftuar nga “Balkan Insight” tregon se Shqipëria përfshin Boldemec LA në listën e produkteve të lejuara dhe barnave veterinare në 26 qershor të vitit 2007 dhe kjo është leje që qëndron e vlefshme të paktën deri në qershor 2012. Ministria e Bujqësisë dhe Mbrojtjes së Konsumatorit e ka mohuar që Boldemec LA është aprovuar aktualisht për ushqimin dhe rritjen e bagëtisë duke pretenduar se është hequr nga qarkullimi në treg në vitin 2009.
Një përfaqësi zbulimi nga Komisioni Europian i Shëndetit dhe Kryesia e Përgjithshme e Konsumatorit në shtator të 2010-s, nxori në dritë se produkte që permbanin Boldenone shiteshin haptas në farmacitë veterinare në Shqipëri.
“Delegacioni identifikoi se një numer produktesh i përcaktuar për përdorimin e ushqimit të kafshëve, të autorizuara dhe lejuara në Shqipëri, përmbanin substanca të cilat qartazi janë të ndaluara në Bashkimin Europian, duke përfshirë këtu edhe përmbajtjen e steroidit boldenone”. Nga ana tjetër, Ministria e Bujqësisë, në qershor të 2006-s, ndaloi reklamën, grumbullimin dhe përdorimin e substancës Boldenone. Në vitin 2011, legjislacioni shqiptar për shërbimin veterinar, miratoi përdorimin e hormoneve vetëm kur ato janë të aprovuara nga Komisioni Europian dhe vetëm për kërkime shkencore e terapeutike, por investigimi në fjalë ngre shumë pikëpyetje për cilësinë e mishin që konsumojmë përditë në tryezat tona.
Skandali me mishin e kalit
Asnjë europian nuk është më i sigurt për mishin që konsumon. Pas skandalit të mishit të kalit në Britani, “cikloni” nuk ka të ndalur.
Sipas shtypit europian, të paktën 16 vende të Eurozonës kanë shprehur “skepticizëm” e për origjinën e mishit të importit duke organizuar madje peticione. Të parët të cilët vunë re se diçka nuk shkonte, ishin anglezët që menjëherë bojkotuan mishin e importit nga Rumania. Pas tyre, tashmë janë francezët që duken mjaft të shqetësuar për mishin.
Mbi shtatë supermarkete në Francë kanë refuzuar që të shesin produktet e firmave Findus dhe Comigel duke treguar hapur “merakun” për cilësinë e ushqimit. Sipas BBC, ekziston frika se edhe në 11 vende të tjera ka probleme me mishin e kalit, gjë që ka bërë që të gjithë europianët të pyesin veten se çfarë po konsumojnë. Sipas mediave britanike, skandali po zgjerohet si një efekt domino ndërsa shtypi britanik ka bërë ironi me pronarin e firmës Findus, një milioner që i ka pasion kuajt e vegjël, poni.
“Ka shtatë të tillë”, shkruajnë gazetat angleze, madje i pëlqen shumë polo. “Por kuajt nuk i ka qejf në pjatë”, ironizojnë gazetarët. Sipas ‘Daily Mail’, mishi i kalit vjen nga mafia italiane dhe ajo rumune që bashkëpunojnë ngushtësisht me njëra-tjetrën.
E përditshmja shkruan se kuajt e vjetër në Rumani, pasi pritën, mishi i tyre shitet në Britani në sasi të konsiderueshme. Rumania prodhon 14 mijë ton mish kali çdo vit për eksport, sasi e cila mendohen se qarkullon dhe në vendet e BE-së. Mendohet se ky mish të jetë eksportuar nga Rumania, dyshim që ende nuk është konfirmuar, ndërsa presidenti rumun Basesku ka deklaruar se nëse Rumania është burim i këtij skandali, vendi i tij do të përballet me shumë probleme dhe do të mbajë përgjegjësitë e saj.
Top Channel