Reshjet e dëborës kanë vijuar me intenstitet gjatë gjithë natës së mbrëmshme dhe kanë përkeqësuar situatën në disa akse kombëtare dhe kanë bllokuar disa komuna në vend.

Rruga nacionale Elbasan-Tiranë ka qenë e bllokuar gjatë natës dhe në orët e para të mëngjesit. Më pas, ndërhyrja e borëpastruesve dhe shpërndarja e kripës e skorjes kanë bërë që situata të stabilizohet.

Trashësia e dëborës në Qafë-Krrabë arrin në 20 centimetra dhe policia nuk lejon kalimin e mjeteve të papajisura me zinxhirë.
 
Më normale paraqitet situata në Qafë-Thanë, ku përveç vështirësive të orëve të para të mëngjesit për shkak të ngricave, tashmë lëvizja kryhet pa vështirësi.

Ndërkohë, janë bllokuar akset rrugore Gjinar-Zavalinë, Gramsh-Poroçan dhe Librazhd-Polis Vilë.

Shefi i Emergjencave Civile në prefekturë, Mustafa Arapi, bën me dije se akset Librazhd-Qarishtë, Librazhd-Rrajcë, Librazhd-Stravaj, Librazhd-Steblevë, Gramsh-Kukur, Elbasan-Shmil dhe Elbasan-Gjinar kalohen vetëm me zinxhirë.

Dëbora gjatë natës ka zbardhur edhe qytetin e Elbasanit, por reshjet e shiut gjatë mëngjesit kanë bërë që banorët dhe sidomos fëmijët të mos mund ta shijojnë borën e parë në qytet.

Ministria e Punëve Publike dhe Transporteve njofton se në veri të vendit, rrugët e Pukës dhe Valbonës janë të kalueshme me zinxhirë. 10 centimetra dëborë ka edhe në zonën e Mallakastrës. Në pjesë të rrugës së Llogarasë për mjetet është e detyrueshme vendosja e zinxhirëve.

Ndërkohë, edhe në Qarkun e Korçës, rruga që të çon në Dardhë dhe Voskopojë është e kalueshme vetëm me zinxhirë.  

Top Channel