Ndaloi policët ndërtimorë, pezullohet nënkomisari

09/02/2013 00:00

Një punonjës i Policisë së Lushnjës me gradën Nënkomisar është pezulluar
nga detyra me vendim të gjykatës së këtij rrethi, pasi dyshohet se duke
përdorur autoritetin e detyrës shtetërore ka penguar inspektorët
ndërtimorë që kanë qenë duke bllokuar një mjet të tonazhit të rëndë me
të cilin punonte në mënyrë të paligjshme i afërmi i të proceduarit.

Lajmi është bërë i ditur nga burime zyrtare të Policisë së Shtetit, të cilat sqaruan se ndaj nënkomisar Klodian Çaushit, Gjykata e Lushnjës ka caktuar masën e sigurimit personal me karakter ndalues, atë të “pezullimit të ushtrimit të një detyre apo shërbimi publik”.

Nënkomisari 35-vjeçar i lindur e banues në Poshnjë të Beratit, mësohet se shërbente në detyrën e specialistit të sigurisë rrugore dhe ishte komandant toge në Komisariatin e Menaxhimit të Trafikut Interurban në Lushnjë. Prokuroria e akuzon 25-vjeçarin Çaushi për kryerjen e veprës penale të shpërdorimit të detyrës dhe kundërshtimit të punonjësit që kryen një detyrë shtetërore, thuhej në njoftimin e policisë.

Nga hetimet disaditore, ka rezultuar se Çaushi ka braktisur shërbimin më datë 29 janar dhe ka përdorur mjetin e Policisë së Shtetit për t’iu kundërvënë policisë ndërtimore që po zbatonte sekuestrimin e një mjeti të rëndë tip ekskavator me të cilin punonte në mënyrë të jashtëligjshme xhaxhai i tij, Enver Çaushi. Mësohet se xhaxhai i tij nxirrte inerte nga shtrati i lumit Seman në vendin e quajtur “Ura e Kuçit”, çfarë është në kundërshtim të plotë me ligjin, pohojnë burimet e bluve. Kjo, pasi gjatë periudhës së vjeshtës dhe dimrit nuk lejohet kategorikisht nxjerrja e inerteve nga shtretërit e lumenjve, pasi mund të sjellin erozione artificiale me pasojë shkaktimin e përmbytjeve.

Në këto kushte, punonjësit e Inspektoratit Ndërtimor Urbanistik Kombëtar janë ndeshur në rezistencën e punonjësit të policisë, i cili ka përdorur autoritetin shtetëror. Pas denoncimit të punonjësve të policisë ndërtimore, SHKB-ja ka nisur hetimin ndaj nënkomisar Çaushit dhe ia ka përcjellë dosjen Prokurorisë së Lushnjës, e cila ka kërkuar caktimin e masës së pezullimit nga detyra. Ndërkaq, mësohet se SHKB-ja është duke verifikuar e dokumentuar informacione operative, sipas të cilave nënkomisari Çaushi dyshohet të ketë kryer afera korruptive gjatë kryerjes së detyrës së tij si specialist i sigurisë rrugore.

Gazeta “Shqip”

Top Channel