Takimi Berisha – Pascual

03/02/2013 19:00

Gjatë qëndrimit në Mynih, ku mori pjesë në Konferencën e 49-të të Sigurisë, kryeministri Berisha zhvilloi një takim edhe me ambasadorin Carlos Pascual, i dërguar i posaçëm dhe koordinator për çështjet e energjisë ndërkombëtare, në Departamentin e Shtetit, në SHBA.

Siç njofton zyra e shtypit të kryeministrit, “në  takim u diskutua gjerësisht për rëndësinë e jashtëzakonshme, që ka për rajonin e Europës Jug-Lindore dhe Europës, realizimi i projekteve të furnizimit me gaz natyror. Në këtë kontekst, kryeministri Berisha ritheksoi faktin se, projekti TAP mbetet projekti më fizibël dhe njëkohësisht një projekt, që gëzon mbështetje të gjërë politike në rajon e më gjërë”.

Z. Pascual theksoi se qeveria amerikane beson fuqishëm, që vendet e rajonit duhet të kenë akses në furnizimin me gaz, si një hap jashtëzakonisht i rëndësishëm për zhvillimin dhe rritjen e mirëqenies së tyre.

Ai vlerësoi, në veçanti, bashkëpunimin ndërqeveritar midis qeverisë shqiptare, asaj të Greqisë dhe të Italisë, të cilat ndodhen në fazën përgatitore të nënshkrimit të një marrëveshjeje bashkëpunimi për këtë qëllim.

Zyrtari amerikan, Carlos Pascual, e siguroi kryeministrin Berisha se një material, i përgatitur nga stafi i një senatori, nuk shpreh aspak qëndrimin zyrtar të qeverisë amerikane dhe theksoi se, qeveria e tij do të mbështesë fuqishëm projektin që do të përzgjidhet përfundimisht, për transmetimin e gazit nga fushat e Shah Denizit.

Top Channel