Ndikimet e politikës, presionet dhe lidhjet e pronarëve të medias me politikën, kanë bërë që, në mënyrë drastike, të bjerë liria e shprehjes në Maqedoni.
Para katër vjetësh, nga liria e medias, sipas organizatës “Reporterët pa kufi”, ishte në vendin e 34, kurse në raportin e vitit 2013, Maqedonia gjendet në vendin 116.
Kryetari i Shoqatës së gazetarëve, Naser Selmani, thotë se kjo ndodh për shkak të sistemit mediatik në Maqedoni, i cili është ngritur mbi baza të gabuara.
“Ky system mediatik nuk është ndërtuar, që t’i shërbejë opinionit publik, të jetë platformë e hapur për të debatuar çështjet me interes të përgjithshëm në vend. Këto media janë formuar, që t’i shërbëjnë klasave politike dhe që pushteti, duke manipuluar e keqpërdorur median, të manipulojë opinionin publik”, tha Naser Selmani.
Gazetarja Anila Limani thotë se, viteve të fundit, mediat në Maqedoni janë bërë pjesë e betejes së partive politike për pushtet.
“Viteve të fundit, mediat në Maqedoni janë shndërruar në zëdhënëse të qeverisë dhe nuk ka asnjë zë kritik ndaj politikave të saj. Informacionet për renien e lirisë së mediave nuk i bëjnë përshtypje askujt dhe, në vend që të ndizët alarmi për këtë dukuri kaq negative, lajmet e tilla kalojnë në heshtje”, tha Anila Limani, redaktore në gazetën Lajm.
Për pozitën e medias në Maqedoni, më së miri flet dëbimi i gazetarëve me dhunë nga Kuvendi, një muaj më parë, gjatë miratimit të buxhetit. Dy vite më parë, qeveria mbylli televizioin e parë privat dhe tre gazeta ditore të të njëjtit grupi mediatik.
Top Channel