Vijojnë problemet mes qeverisë greke dhe sindikatave të punonjësve të transportit publik, bëjnë të ditur mediat ndërkombëtare.
Teksa greva e punëtorëve të metrove dhe trenave urbanë të Athinës përfundoi javën e kaluar, gjasat janë që qeveria të ndodhet së shpejti në të njëjtën situatë me drejtuesit e autobusëve dhe trenave interurbanë.
Këta të fundit, nënvizojnë burimet, kanë arritur të hënën në ditën e tretë të grevës, pavarësisht se gjykata e cilësoi ilegale mbajtjen e saj në shenjë proteste.
Tre ditë më parë policia greke ndërhyri duke hapur me forcë dyert e qendrës operative të metrosë së Athinës, pas indiferencës së punonjësve të saj ndaj urëdhrit të qeverisë për t’i dhënë fund grevës tetëditore që po paralizonte lëvizjen në kryeqytetin helen.
Qindra forca policie u mblodhën në zonë dhe penguan këdo që tentonte të hynte në stabiliment. Gjykata u shpreh se, greva e punonjësve ishte e paligjshme, ndaj punonjësit duhet t’i ktheheshin menjëherë vendeve të punës, në të kundërt rrezikonin pushimin nga puna.
Por urdhëri i saj ra ne vesh të shurdhët pasi punonjësit refuzuan ta zbatonin vendimin. Ata vazhduan grevën, në solidaritet të së cilës u rreshtuan edhe punonjësit e gjithë sistemit të shërbimit të udhëtarëve në kryeqytetin helen.
Sindikatat e tyre kërkojnë nga qeveria që të firmosë kontrata pune kolektive, ndërkohë që kanë edhe disa pretendime të tjera, të cilat Ministria greke e Transportit thotë se nuk mund t’i pranojë pasi kushtëzohet prej reformave që qeveria Samaras i ka premtuar trojkës europiane.
Reagimet kanë qenë të ashpra edhe në nivelin politik, me partitë e majta tashmë të pozicionuara haptazi kundër reformës ekonomike të ekzekutivit trepartiak të Samaras, që tenton shpëtimin e vendit nga kolapsi ekonomik duke firmosur me FMN dhe Bashkimin Europian një sërë masash të konsideruara si të dhimbshme.
Top Channel