Kthehen gropat në rrugët e Tiranës

23/01/2013 00:00

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha ka inspektuar fillimin e punimeve në periferinë ekstreme të Tiranës, në rrugën “Llazar Shapatini”, që shtrihet nga Shinat e Trenit deri tek Breg u Lumit, një zonë e populluar vitet e fundit.

Por teksa vëmendja e Bashkisë së Tiranës kohët e fundit është përqendruar në periferi, rrugët brenda qytetit, sic ankohen edhe shumë qytetarë, ndodhen në një gjendje të mjeruar, duke kthyer në kujtesë një situatë të shumë viteve më parë kur Tirana ishte e mbushur me asfalt të prishur e gropa të mëdha në rrugë.  

Unaza e Tiranës, e cila është amortizuar për gjatë gjithë segmentit të saj. Dëmtimet që kanë nisur të marrin përmasa të mëdha nuk janë riparuar prej kohësh dhe gjendja po vazhdon të degradojë. Qarkullimi vështirësohet edhe në segmentin rrugor pranë shkollës Vasil Shanto për shkak të gropave në mes të rrugës.

Një tjetër rrugë që po amortizohet e që askush nuk riparon asfaltin e dëmtuar është në qendër të kryeqytetit pranë Librit Univeristar. E njëjta situatë paraqitet në rrugën e Durrësit ku gropat thellohen cdo ditë e ndërmarrja e mirëmbajtjes ende nuk ka ndërhyrë për të bërë riparimin apo  arnimin e tyre.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha i pyetur për gjendjen në të cilën ndodhen rrugët thotë se mirëmbajtja bëhet dy herë në vit.

Deri në përfundim të stinës së ftohtë, qytetarët e Tiranës duket se do të përballen me këtë gjendje, ndërkohë që shpresa është që reshjet të mos ndikojnë në përkeqësimin e situatës në rrugë.

Top Channel