Fillorja me 6 klasë, 1 mësues për 5 lëndë

23/01/2013 00:00

Viti i ri shkollor 2013-2014 do ta gjejë ciklin fillor me ndryshime. Pas
miratimit me vendim të Këshillit të Ministrave për shtimin e ciklit
fillor, me 1 klasë më shumë, nga 5 me 6, Ministria e Arsimit ka ngritur
grupet e punës për ndryshimin e kurrikulës, programeve dhe rrjedhimisht
të teksteve shkollore.

Ekspertët e grupeve të punës sqarojnë për gazetën “Shqip” se prioritet do t’i jepet uljes së ngarkesës mësimore dhe eliminimit të përsëritjes së temave në tekste, problem që ndeshet në librat aktualë. Bazuar në deklaratat e specialistëve të MASH-it, ndryshimi i fillores me gjashtë klasë, jo më me pesë, traditë e njohur në sistemin tonë arsimor, vjen sidomos për të lehtësuar nxënësit, të cilët do të kenë më pak tekste, për rrjedhojë një mësues do t’u mësojë pesë libra. Praktikë që largon një vit më shumë nxënësit, për t’u përballur me disa mësues njëherësh, në një moshë të vogël.

Kështu, nëse deri më tani një nxënës i klasës së gjashtë ka mësuar me rreth dhjetë tekste, sivjet kur fillorja të jetë me gjashtë klasë, ai do të ketë jo më shumë se pesë libra, që do të zhvillohen vetëm nga një mësues.

Sipas të dhënave nga Ministria e Arsimit, matematika, gjuha shqipe dhe ajo e huaj do të jenë libra më vete, ndërsa lëndët e tjera, ato të shkencave shoqërore do të përmblidhen në një të vetëm. E njëjta praktikë pune do të ndiqet edhe me tekstet e shkencave të natyrës. Specialistët e Arsimit bëjnë me dije se për nxënësit që do të nisin klasën e parë, do të bëhet pjesë e programit mësimor edhe lënda e informatikës.

Ndërkohë, hartimi i kurrikulave të reja parashikon edhe procesin e unifikimit të programeve mësimore me shtetin e Kosovës. Pas tekstit të abetares, nxënësit shqiptarë të Shqipërisë dhe ata të Kosovës do të kenë të përbashkët edhe tekstin e gjuhës shqipe dhe historisë.

Zyrtarisht sqarohet se arsimi bazë do të pësojë ndryshime vitin e ardhshëm shkollor, 2013-2014. Konkretisht, bëhet fjalë për ciklin fillor, i cili do të zgjatet në kohë për një periudhë gjashtëvjeçare, ndërkohë që tri klasat e tjera do të përmbyllin ciklin e arsimit bazë.

“Ky ndryshim vjen si pasojë e rishikimit të kurrikulës dhe përshtatjes së saj me kurrikulat e përparuara europiane. Arsyet e këtij ndryshimi lidhen fillimisht me faktin se në rreth 2/3 e vendeve të OECD, arsimi bazë funksionon sipas strukturës 6+3. Gjithashtu studiuesit dallojnë dy faza të zhvillimit mendor të fëmijëve. Gjatë periudhës 6-12 vjeç mbizotëron kryesisht dhe përgjithësisht të menduarit konkret, kurse më pas ai abstrakt. Me strukturën aktuale, ku cikli fillor zgjat pesë vjet, nisin më herët nga sa duhet dozat e të menduarit abstrakt”, sqaroi Tidita Abdurrahmani, drejtoresha e Institutit të Zhvillimit të Arsimit.

Sipas saj, duke e shtrirë arsimin fillor edhe një vit, synohet një ulje e ngarkesës për nxënësit, duke e bërë atë të përballueshme për të gjithë fëmijët dhe sidomos më tërheqëse e më të dobishme. Abdurrahmani shtoi se kalimi nga sistemi 5+4 në 6+3 mundëson standarde të arritjeve të nxënësve të krahasueshme me shumicën e sistemeve të tjera arsimore europiane.

Top Channel